Franca ka siguruar një tjetër paraqitje në gjysmëfinale të Kupës së Botës, pasi mposhti Marokun me rezultat 2-0 në çerekfinale. Megjithatë, përveç fitores, vëmendja pas ndeshjes u përqendrua edhe te gjendja fizike e Kylian Mbappe-s.
“Gjelat” e Didier Deschamps vuajtën përballë Marokut, veçanërisht në pjesën e parë, ku portieri Bono ndali edhe një penallti të ekzekutuar nga Mbappe. Por, Franca e gjeti rrugën drejt golit në pjesën e dytë, me Mbappen në minutën e 60-të dhe Ousmane Dembelen në minutën e 66-të.
Pas ndeshjes, Didier Deschamps foli edhe për zëvendësimin e kapitenit francez, i cili u largua nga fusha 13 minuta para fundit.
Kyliani pati pak probleme me kyçin e këmbës, ndjeu pak dhimbje. Manu Koné mori një goditje në gju dhe kishte edhe shqetësime në bark. Por Warren Zaïre-Emery hyri dhe luajti shumë, shumë mirë. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm. Edhe ata që nuk luajnë janë pjesë e rëndësishme e ekipit.
Francezi u shpreh i kënaqur që ekipi i tij arriti në gjysmëfinale për herë të tretë radhazi në Kupën e Botës.
Mendoj se është diçka e madhe që jemi në gjysmëfinale për herë të tretë radhazi. Ndoshta duket normale, por nuk është e tillë. Kam lojtarë të jashtëzakonshëm. Sot ishte një ndeshje shumë e vështirë.
Deschamps vlerësoi edhe reagimin e Mbappes pas penalltisë së humbur.
Kur humb një penallti dhe nuk i shfrytëzon rastet, ia vështirëson vetes. Kyliani reagoi shumë mirë dhe shënoi golin. Jemi aty ku dëshironim të ishim. Tani duhet të rikuperohemi dhe të përgatitemi për kundërshtarin e radhës.
Franca pret në gjysmëfinale fituesin e duelit mes Spanjës dhe Belgjikës, ndërsa Deschamps theksoi se skuadra e tij vazhdon të përqendrohet në objektivin kryesor: të shkojë sa më larg në këtë Botëror.
Futbolli krijon emocione dhe ne i ndajmë ato me tifozët. E dimë që ka shumë entuziazëm në Francë, por ne duhet të qëndrojmë të përqendruar. Ky është një hap i rëndësishëm, por jemi ende në gjysmëfinale, tha Deschamps.





