Erling Haland tenton “infinitin”, me Norvegjinë ka shënuar 62 herë në 54 takime!

featured
Press Online
10 Korrik 2026, 13:08

“Si golashënues, do të thosha se jam ndër më të mirët, por mendoj se Herri Kejn dhe Kilian Mbape kanë shënuar më shumë gola se unë këtë sezon, kështu që, statistikisht, jo, nuk jam më i miri. Ky është realiteti”, pranoi Erling Haland pas dopietës së tij kundër Irakut (4-1).

Megjithatë, “numrat makro” tregojnë të kundërtën. Haland tenton pafundësinë. ‘9’-shi i Mançester Sitit e eliminoi Brazilin (1-2) në fazën e 1/ 8-ave me një tjetër dopietë, që e bën edhe më të ndezur garën për “Këpucën e Artë”.

Haland, Mesi dhe Mbape kryesojnë renditjen e golashënuesve me nga shtatë gola secili. Një shkallë më poshtë vjen Herri Kejn me gjashtë. Për herë të parë në një Kupë Bote, tre lojtarë arrijnë shifrën e shtatë golave në të njëjtin edicion. Në rastin e Halandit, edhe më mbresëlënëse janë statistikat e tij me Norvegjinë: ai e kalon mesataren e një goli për ndeshje. Ka grumbulluar 62 gola në 54 ndeshje me kombëtaren.

Një mesatare prej 1,14 golash për ndeshje, që askush nga lojtarët që kanë shënuar të paktën 60 gola me kombëtaren gjatë historisë nuk ka qenë në gjendje ta mbajë. Vetëm Ferenc Pushkash, që shënoi 84 gola në 85 ndeshje me Hungarinë, dhe Kunishige Kamamoto, që realizoi 75 gola në 76 ndeshje me Japoninë, iu afruan mesatares së një goli për ndeshje (0,99). Pas tyre renditen Ali Mabkou (0,74), Ali Daei (0,73), Romelu Lukaku (0,71) dhe Herri Kejn (0,71). Mesatarja e Kristiano Ronaldos (0,63) dhe Leo Mesit (0,61), golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtareve me përkatësisht 146 dhe 124 gola, është dukshëm më e ulët se 1,14 e Halandit.

Edhe në nivel klubesh ndodh diçka e ngjashme. Vetëm Haland (0,85), i cili numëron 359 gola në 418 ndeshjet që ka zhvilluar në karrierë, i afrohet mesatares së një goli për ndeshje. Te Salzburgu, ku shënoi 29 gola në 27 ndeshje, e tejkaloi atë mesatare. Te Borusia Dortmund, ku realizoi 86 gola në 87 takime, iu afrua shumë; ndërsa te Mançester Siti ku ka grumbulluar 162 gola në 198 ndeshje, vazhdon të jetë shumë pranë.

Në çdo rast, ai ka statistika më të mira se të gjithë golashënuesit e mëdhenj të viteve të fundit. Leo Mesi, me 918 gola në 1.160 ndeshje, ka një mesatare prej 0,79 golash për ndeshje mes kombëtares dhe klubit, Kilian Mbape, me 432 gola në 574 ndeshje, ka një mesatare prej 0,75. Kristiano Ronaldo, i cili ka shënuar më shumë gola se kushdo tjetër (971 në 1.323 ndeshje), ka një mesatare prej 0,73; Robert Levandovski arrin në 0,69 pas 718 golave në 1.036 ndeshje, ndërsa Herri Kejn mburret me 0,68 gola për ndeshje, pasi ka shënuar 527 gola në 766 takime. Ai ka barazuar edhe Zllatan Ibrahimoviç si “mbreti i golit” (62) mes kombëtareve nordike.

Me një ndryshim të madh, e ka arritur këtë në 68 ndeshje më pak, 54 kundrejt 122. “Nuk e di si e bëj, por nëse kam një ose dy raste, zakonisht përfundojnë në gol. Po filloj ta kuptoj, mendoj, se është një dhuratë nga Zoti që topi përfundon pikërisht aty ku duhet, pranë shtyllës e të gjitha këto. Është çmenduri”, pranoi “Cyborgu” pas dy golave ndaj Brazilit. – “Po filloj të mendoj se fakti që topi përfundon pikërisht pranë shtyllës është një dhuratë nga Zoti.”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter