Buxheti zhvillimor dhe real për pushtetin, tepër optimist dhe me projeksione të gabuara për opozitën

featured
Press Online
07 Korrik 2026, 10:08

Ribalanci i buxhetit ka rikthyer përplasjet mes pushtetit dhe opozitës në Kuvend. Për shumicën parlamentare, ndryshimet buxhetore janë të bazuara në tregues real ekonomik dhe synojnë mbështetjen e standardit jetësor, ndërsa opozita vlerëson se bëhet fjalë për planifikim të gabuar, projeksione tepër optimiste dhe rritje të re të borxhit publik, informon PressOnline.al.

Nga LSDM-ja akuzuan se vetëm gjashtë muaj pas miratimit të buxhetit fillestar, Qeveria detyrohet të bëjë ribalanc, gjë që, sipas tyre, dëshmon se të ardhurat janë planifikuar në mënyrë joreale. Deputeti Mitko Trajçulevski tha se projektimi i gabuar i anës së të ardhurave dhe rritja e shpenzimeve do të përfundojnë me ngarkesë të re financiare për qytetarët dhe kompanitë.

Opozita paralajmëroi se planifikimi i dobët i të ardhurave mund të çojë drejt huamarrjeve të reja, ndërsa kritikoi edhe shkurtimin e mjeteve për projekte demografike, të rinjtë, masat sociale dhe programet kundër dhunës në familje. Sipas tyre, buxheti fillestar është ndërtuar mbi pritje të fryra dhe nuk i ka reflektuar në mënyrë të saktë mundësitë reale të ekonomisë.

Nga ana tjetër, deputetët e VMRO-DPMNE-së e mbrojtën ribalancin, duke theksuar se ai nuk bëhet për shkak të mungesës së mjeteve, por për përshtatje me zhvillimet ekonomike dhe për përmirësim të funksionimit të financave publike. Deputeti Petar Risteski tha se të ardhurat totale janë projektuar në 379.5 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 4.5 miliardë denarësh, përkatësisht 1.2 për qind më shumë krahasuar me buxhetin fillestar, përcjell PressOnline.al.

Sipas pushtetit, këto të ardhura nuk janë rezultat i presioneve, por i luftës sistematike kundër ekonomisë gri dhe arkëtimit më të përgjegjshëm të detyrimeve. Deputetët e shumicës u bënë thirrje qytetarëve të mos bien pre e, siç thanë, konstatimeve të pabazuara të opozitës dhe të jenë të qetë se financat publike janë stabile.

Për ribalancin e buxhetit janë dorëzuar gjithsej 224 amendamente. Debati për amendamentet pritet të fillojë pas përfundimit të debatit të përgjithshëm në Kuvend. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter