SHBA feston 250-vjetorin e Pavarësisë, Trump: Të mbrojmë liritë nga kërcënimi komunist

featured
Press Online
04 Korrik 2026, 09:18

Teksa Shtetet e Bashkuara festojnë 250-vjetorin e Pavarësisë, presidenti Donald Trump u bëri thirrje amerikanëve të mbrojnë liritë dhe vlerat që, sipas tij, u përcaktuan nga etërit themelues të vendit. Në një fjalim me tone patriotike në malin Rushmore, ai paralajmëroi për atë që e cilësoi si “kërcënim komunist” nga krahu progresist i Partisë Demokratike.

Trump vlerësoi trashëgiminë e katër presidentëve amerikanë, portretet e të cilëve janë gdhendur në malin Rushmore, George Washington, Thomas Jefferson, Abraham Lincoln dhe Theodore Roosevelt, duke theksuar se SHBA duhet të mbetet një komb “po aq i madh, i guximshëm dhe fisnik” sa figurat historike që simbolizojnë vendin.

Megjithatë, ai paralajmëroi se identiteti amerikan po përballet me një “sulm të ri”, duke pretenduar se në vend po ringjallet një kërcënim komunist, të cilin e lidhi edhe me emigracionin.

“Qytetarët amerikanë do ta mposhtin shpejt komunizmin. Do t’i dëbojmë ata dhe do ta bëjmë Amerikën më të madhe, më të mirë dhe më të fortë se kurrë. Amerika nuk do të bëhet kurrë një vend komunist”, deklaroi presidenti.

Retorika kundër komunizmit dhe emigracionit ka qenë një nga temat qendrore të fjalimeve të Trump në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit, ku republikanët synojnë të ruajnë kontrollin mbi Kongresin.

Presidenti kritikoi gjithashtu “radikalët dhe ekstremistët”, të cilët, sipas tij, po përpiqen të fshijnë historinë dhe frymën amerikane.

Në kuadër të festimeve për 250-vjetorin e Pavarësisë, Trump pritet të mbajë edhe një fjalim në National Mall në Uashington, gjatë aktivitetit “Salute America 250 Celebration & Fireworks”, i cili do të kulmojë me një spektakël të madh fishekzjarrësh.

Festimet zhvillohen në një klimë të tensionuar politike. Sipas një sondazhi të publikuar nga Universiteti Quinnipiac, 61% e amerikanëve besojnë se vendi nuk po i përmbush aktualisht idealet e shpallura në Deklaratën e Pavarësisë të vitit 1776, duke reflektuar ndarjet e thella politike që karakterizojnë SHBA-në në këtë përvjetor historik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter