Maqedonia shpërblehet nga Brukseli – BE-ja do të rishpërndajë fondet për Ballkanin Perëndimor

featured
Press Online
03 Korrik 2026, 12:13

Komisioni Evropian është i gatshëm të rishpërndajë fondet përmes instrumentit të krijuar për të nxitur vendet e Ballkanit Perëndimor të zbatojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në favor të vendeve që janë më përpara në proces. Kështu kanë deklaruar për Euronews dy zyrtarë të BE-së, përcjell PressOnline.al.

Fondi për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor u krijua në vitin 2024 me qëllim që t’u ofrojë mbështetje financiare vendeve kandidate të rajonit, e cila është e kushtëzuar me zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në BE.

Ky instrument mbulon periudhën 2024–2027 dhe synon që brenda dekadës së ardhshme të dyfishojë madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, sipas të dhënave të vetë Komisionit Evropian, deri më tani janë disbursuar vetëm rreth 673 milionë euro nga gjithsej 6 miliardë euro të parashikuara. Pothuajse e gjithë kjo shumë është ndarë vetëm për tri nga gjashtë vendet kandidate.

Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia janë vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit, falë agjendave të tyre të reformave. Ndërkaq, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia konsiderohen përgjithësisht se kanë mbetur prapa.

Ky sistem kërkon që reformat të përfundojnë brenda afateve të dakorduara. Nëse një reformë nuk realizohet në kohë, Komisioni mund të pezullojë një pjesë ose të gjitha fondet që lidhen me atë reformë.

Përfituesit kanë një vit kohë për t’i përmbushur kushtet para se fondet të rishpërndahen, ndërsa për vitin e parë ky afat është zgjatur në dy vjet. Kjo do të thotë se fundi i qershorit ishte afati i parë i tillë.

“Siç parashikon rregullorja, kur hapat e reformave nuk përmbushen dhe përfundon periudha e tolerancës, fondet përkatëse mund të rishpërndahen mes përfituesve të tjerë”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian për Euronews.

“Sa u përket hapave që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor 2026, Komisioni tani do të kryejë një vlerësim gjithëpërfshirës dhe objektiv për të gjithë përfituesit”, shtoi ai.

Me fjalë të tjera, Komisioni Evropian është i gatshëm t’i rishpërndajë fondet e pashfrytëzuara tek vendet që konsiderohen se kanë bërë përparimin më të madh në zbatimin e reformave. Bëhet fjalë për Malin e Zi dhe Shqipërinë, që konsiderohen favoritë në proces, si dhe për Maqedoninë, e cila gjithashtu ka një bilanc të mirë në zbatimin e reformave.

Humbësi më i madh pritet të jetë Bosnja dhe Hercegovina, e cila deri më tani nuk ka marrë asnjë financim nga ky fond, pasi nuk ka arritur të realizojë reformat e kërkuara, kryesisht për shkak të strukturës së saj të ndërlikuar institucionale. Edhe Kosova dhe Serbia pritet të jenë në pozitë më të pafavorshme, ndonëse tashmë kanë marrë disa pagesa.

Kjo situatë ishte paralajmëruar që në prill, kur komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u dërgoi letër të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u bërë thirrje të përshpejtojnë reformat ose të rrezikojnë humbjen e fondeve të ofruara nga ky instrument.

Zyrtarët e BE-së theksojnë se ky sistem funksionon sipas parimit të stimulimit përmes rezultateve. Komisioni nuk ua “heq” fondet vendeve, pasi ato nuk kanë të drejtë t’i marrin nëse nuk zbatojnë reformat përkatëse.

“Është si të punosh me orar. Paguhesh vetëm për punën që e kryen realisht”, tha një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi të mbetet anonim për të folur lirshëm.

Komisioni Evropian pritet që më vonë gjatë këtij muaji t’u japë shteteve anëtare më shumë detaje mbi këtë çështje, përfshirë edhe shumën e fondeve që do të rishpërndahen.

Opsione të tjera që po shqyrtohen përfshijnë shpërndarjen e barabartë të fondeve shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për asistencë teknike, transferimin e mjeteve te vendet e tjera kandidate jashtë rajonit, ose edhe kthimin e tyre në buxhetin e Bashkimit Evropian.

“Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që ata të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë që ofron Plani i Rritjes”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter