Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një nga objektivat strategjikë të shtetit, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të ndërtojë kapacitete profesionale në përputhje me standardet më të larta euroatlantike.
Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhiu uroi oficerët e rinj për përfundimin e shkollimit dhe i inkurajoi që detyrën ta ushtrojnë me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim ndaj Republikës së Kosovës.
“Kjo ditë u përket në radhë të parë sigurisht juve, kadetë. U përket familjeve tuaja, të cilat i falënderoj nga zemra për mundin, disiplinën dhe edukimin që ju kanë dhënë. I përket Akademisë që ju ka përgatitur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi më të mëdha të jetës së tyre…
Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj. Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis një përgjegjësi e jashtëzakonshme si oficerë të Republikës. Katër vite më parë, ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vullnet të palëkundur për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve, përmes programit të integruar akademik dhe ushtarak, keni përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht keni kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ka ngulitur disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë rritur pritshmëritë ndaj njerëzve që dinë të mendojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë shpejt e me integritet”, tha ajo.
“Gradat që do të mbani në supet tuaja nga sot nuk janë thjesht dekorim në uniformën tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdesin ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe atëherë kur vendimet mund të jenë të vështira”, ka shtuar Haxhiu.






