Nga Mimoza Mustafai Jonuzi
Mësues, kjo fjalë hyjnore, e shoqëruar me shërbim dhe devotshmëri! Një fjalë që mbart mbi supe peshën e së ardhmes. A vlen edhe sot kjo peshë, apo emri i mësuesit ka mbetur vetëm gjashtë shkronja në një letër? Sepse nuk po shoh më gjithmonë atë shërbim të vërtetë ndaj së mirës së nxënësve.
Sot, për disa, fjala mësues përkthehet vetëm si një vend pune ku siguron të ardhura dhe një jetë më të mirë. Kushdo që e kupton rolin e mësuesit vetëm kështu, e ka humbur kuptimin e vërtetë të kësaj thirrjeje.
Mësimdhënia nuk ka çmim. Mësuesi nuk është personi nga i cili nxënësi duhet të marrë trauma brenda orës, as të jetojë me frikë. Mësuesi nuk bën luftë me nxënësin por, i ofron paqe dhe siguri brenda klasës.
Mësuesi nuk është një model për pista mode dhe as një garë se kush duket më bukur. Mësuesi është i thjeshtë. Ai është në shërbim të nxënësit. Ai duhet të jetojë brenda kujtimeve të tij; mësimet e tij ta ndjekin nxënësin kudo që të shkojë, të mbeten në shpirtin e tij.
Në kohën time kishim mësues të tillë. Edhe sot ata jetojnë brenda meje. Këshillat e tyre ende më kumbojnë në vesh dhe sa herë që ndihem e zbrazët, kthehem pas në kohë dhe kujtoj mësimet e jetës që më kanë dhënë.
Por pyes veten: a kanë fëmijët e mi një mësues të tillë që e mbajnë brenda vetes? A kanë dikë që u kumbon si jehonë sa herë që jeta i përball me sfida të vështira? A kanë?
Mësuesin brenda vetes e gjen pa marrë parasysh moshën apo vitet që kanë kaluar. Roli i mësuesit po komercializohet, po bëhet pazar dhe po humbet vlerën e tij. Empatia, gjendja emocionale, psikike dhe mendore e një nxënësi duhet të jenë prioritet për një mësues, jo vetëm numrat.
Numrat janë vetëm shifra, por dija që dhurohet me dashuri dhe me shërbim të plotë, pa pritur asgjë në këmbim, është vlera më e madhe që mund të ofrojë një mësues.
Mësuesi flijohet për nxënësin. Moralitetin e shprehjes “mësuesi digjet si qiri” e dimë, por sa e vendosim këtë moral në veprim? Sepse morali nuk është ajo që dimë, por ajo që bëjmë.Një mësues që nuk pret asgjë në shkëmbim, pikërisht ai ka fituar pasurinë më të madhe të botës. Ai shërben dhe pret vetëm që mësimet e tij të jetojnë brenda nxënësit.
Ky është shpërblimi më i madh: të jetojë përgjithmonë në një botë të paprekshme — brenda shpirtit të një nxënësi.
Ky është mësuesi që i shfaqet nxënësit në vështirësi. Tani shkoni dhe gjeni këtë mësues. Kur ta gjeni, lartësojeni deri në piedestal, sepse të tjerët kanë ende shumë për të mësuar.






