Rritja e madhe e investimeve në inteligjencën artificiale (IA), e cila ka çuar tregjet globale të aksioneve në nivele rekord, mund të përfundojë në një krizë financiare, paralajmëron Banka për Rregullime Ndërkombëtare (BIS).
Sipas institucionit, kostot e fshehura të këtij bumi po reflektohen gjithnjë e më shumë në bilancet e kompanive dhe në çmimet që paguajnë konsumatorët.
Në Raportin Vjetor Ekonomik, të publikuar të dielën, BIS – e njohur si “banka e bankave qendrore” – thekson se shpenzimet masive për IA po krijojnë dobësi financiare, të cilat mund të përforcojnë çdo goditje të ardhshme ekonomike dhe të përhapen nga tregjet financiare në ekonominë reale.
Duke prezantuar gjetjet e raportit, drejtori i përgjithshëm i BIS, Pablo Hernández de Cos, tha se mesazhi kryesor është ai i “urgjencës”, duke u bërë thirrje politikëbërësve të ndërhyjnë përpara se një përmbysje e tregut ta bëjë korrigjimin shumë më të dhimbshëm.
Në qendër të paralajmërimit qëndron ritmi i jashtëzakonshëm i investimeve në inteligjencën artificiale. Edhe pse këto investime kanë mbështetur rritjen ekonomike globale gjatë vitit të kaluar, BIS vlerëson se ato po krijojnë rreziqe të reja financiare.
Pesë kompanitë më të mëdha të teknologjisë, të njohura si “hyperscalers”, që po garojnë për ndërtimin e infrastrukturës së IA-së, pritet të investojnë mbi 1 trilion dollarë (rreth 878 miliardë euro) gjatë viteve 2025–2026. Ky ritëm investimesh po tejkalon fitimet dhe fluksin e lirë të parasë së tyre, duke detyruar disa prej tyre të marrin hua të konsiderueshme për të vazhduar garën.
Sipas BIS, kjo garë nxitet nga bindja se në fund do të mbijetojnë vetëm pak lojtarë dominues. Kjo po i shtyn kompanitë të investojnë shuma të mëdha në projekte, fitimet e të cilave mbeten ende shumë të pasigurta.
Jehona e manive të së kaluarës
Raporti e krahason bumin e sotëm të IA-së me episode historike si mania e kanaleve në vitet 1830, mania hekurudhore në Britani në vitet 1840, elektrifikimi i viteve 1920 dhe flluska “dotcom”.
Sipas BIS, secili prej këtyre episodeve nisi me një përparim real teknologjik, por tërhoqi më shumë kapital sesa mund të justifikonin fitimet tregtare. Në fund, ato përfunduan me rënie të investimeve dhe recesione të gjera ekonomike.
Rreziku shtohet nga çmimet e fryra të aksioneve dhe financimet jo transparente.
BIS veçon përhapjen e “financimit qarkullues”, ku prodhuesit e çipave dhe gjigantët e cloud-it marrin aksione në laboratorë të IA-së, të cilët më pas angazhohen të blejnë çipat dhe fuqinë kompjuterike të tyre. Kështu, paratë rikthehen te investitorët fillestarë si të ardhura.
Një pjesë e madhe e financimit po kalon përmes fondeve spekulative dhe kredive private, të cilat mbikëqyren më pak se bankat.
Sipas Zhang Tao, përfaqësues kryesor i BIS për Azinë dhe Paqësorin, varësia nga këto kanale jobankare do të thotë se një rënie e IA-së mund të shndërrohet në një përplasje më të shpejtë dhe më të fortë sesa një krizë tradicionale bankare.
Kostot e fshehura të qendrave të të dhënave
Përtej tregjeve financiare, kritikët thonë se kostoja reale e zgjerimit të IA-së po fshihet në sy të të gjithëve.
Një shqetësim kryesor lidhet me mënyrën se si gjigantët e teknologjisë regjistrojnë qendrat e tyre të të dhënave në bilance.
Duke supozuar se pajisjet e shtrenjta do të përdoren për më gjatë, kompanitë e shpërndajnë koston në më shumë vite. Kjo ul zhvlerësimin në llogaritë e tyre dhe i bën fitimet të duken më të shëndetshme.
Por çipat e specializuar mund të vjetrohen shumë më shpejt nga sa parashikohet. Kjo krijon hendek mes fitimeve të raportuara dhe realitetit ekonomik, duke i lënë bilancet më të ekspozuara nëse kërkesa bie ose lind nevoja për zëvendësim të shtrenjtë të pajisjeve.
Shtrirja fizike e këtij zgjerimi është marramendëse.
Sipas ekonomistit të Columbia University, Stijn Van Nieuwerburgh, ndërtimi i infrastrukturës për inteligjencën artificiale mund të kushtojë rreth 8 trilionë dollarë (afërsisht 7 trilionë euro) gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Një pjesë e këtij financimi pritet të realizohet përmes skemave jashtë bilanceve financiare, për të cilat ka paralajmëruar edhe BIS.
Kostot nuk po kufizohen më vetëm te kompanitë. Disa ekonomistë paralajmërojnë për një “valë të tretë” inflacioni, pas pandemisë dhe tarifave tregtare, këtë herë e nxitur nga investimet masive në IA. Ndërsa prodhuesit e çipave po i japin përparësi komponentëve më fitimprurës për serverët e IA-së, mungesat e memorieve dhe pajisjeve të ruajtjes së të dhënave po ndikojnë edhe te produktet elektronike për konsumatorët.
Për shembull, Apple rriti javën e kaluar çmimet e kompjuterëve MacBook, tabletëve iPad dhe pajisjeve të tjera, duke përmendur një “rritje të jashtëzakonshme të kërkesës për memorie dhe kapacitete ruajtjeje”. Kompania deklaroi se nuk kishte parë më parë një rritje kaq të shpejtë të çmimeve të komponentëve. Aksionet e saj ranë me rreth 6%, ndërsa edhe Microsoft, Nintendo dhe Sony kanë ndërmarrë masa të ngjashme.
Një tjetër sfidë lidhet me energjinë elektrike. Sipas Goldman Sachs, qendrat e të dhënave do të përbëjnë pothuajse gjysmën e rritjes së kërkesës për energji elektrike në SHBA deri në vitin 2030. Si pasojë, çmimet e energjisë për konsumatorët pritet të rriten me rreth 6% në vit gjatë 2026 dhe 2027.
Edhe BIS vëren se kërkesa gjithnjë e më e madhe për energji nga infrastruktura e IA-së po ushtron presion mbi çmimet dhe kostot e prodhimit, duke rritur rrezikun e inflacionit. Megjithatë, institucioni thekson se IA mund të ketë në të ardhmen edhe efekt të kundërt, nëse rritja e produktivitetit që premton arrin të materializohet./ Monitor







