Transportuesit i vendosën afat BE-së: Nëse deri më 10 gusht nuk ka zgjidhje, pasojnë masa të reja

featured
Press Online
30 Qershor 2026, 12:42

Transportuesit nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina sot do t’i dërgojnë një letër të përbashkët Komisionit Evropian, me kërkesë që më së voni deri më 10 gusht të ofrohet një zgjidhje e pranueshme për problemin me kufizimin e qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen, shkruan Euronews, përcjell PressOnline.al.

Vendimi është marrë në takimin e shoqatave të transportit nga katër vendet, prej nga njoftojnë se letra do t’u dërgohet edhe qeverive, odave ekonomike dhe kompanive eksportuese në rajon, me qëllim që të rritet presioni për zgjidhjen sa më të shpejtë të problemit.

Kryetari i Shoqatës Serbe për Transport Ndërkombëtar, Nexho Mandiq, deklaroi se transportuesit për momentin nuk do të ndërmarrin hapa radikal, por presin që Komisioni Evropian deri më 10 gusht të ofrojë të paktën një zgjidhje të përkohshme, e cila do t’u mundësojë shoferëve profesionistë ta kryejnë punën e tyre pa pengesa.

Sipas tij, problemi është thelluar edhe më shumë pas zgjerimit të zonës Shengen me Kroacinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, pasi shoferët nga Ballkani Perëndimor pothuajse të gjithë kohën e punës e kalojnë në vendet e Shengenit, ndonëse atje nuk qëndrojnë si turistë.

“Tranziti nuk mund të llogaritet si qëndrim. Shoferët pjesën më të madhe të kohës e kalojnë në kamionë ose në parkingje për pushim të detyrueshëm, por ato ditë megjithatë u përllogariten në kufizimin prej 90 ditësh”, theksoi Mandiq.

Ai paralajmëroi se nëse deri më 10 gusht nuk arrihet marrëveshje me Komisionin Evropian, transportuesit do të mbajnë një takim të ri, ku do të shqyrtohen masa konkrete, pa zbuluar se cilat do të ishin ato.

Nga shoqata “Makam-trans” sqarojnë se 10 gushti është datë kyçe, pasi atëherë sërish do të nisë të rrjedhë afati prej 90 ditësh për qëndrimin e shoferëve në Shengen, pasi Komisioni Evropian më 10 prill përkohësisht ua kishte rivendosur nga zero ditët të gjithë shoferëve profesionistë.

Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e “Makam-trans”, paralajmëron se pas kësaj date sërish mund të paraqiten të njëjtat probleme – vërejtje, ndalesa për hyrje dhe deportime të shoferëve që do ta tejkalojnë qëndrimin e lejuar.

Ndërkohë, Ministria e Transportit po zhvillon bisedime bilaterale me disa vende anëtare të BE-së. Kroacia tashmë ka paralajmëruar ndryshime ligjore që duhet t’u ndihmojnë shoferëve profesionistë të huaj, ndërsa bisedime po zhvillohen edhe me Rumaninë, Austrinë dhe shtete të tjera. Megjithatë, transportuesit vlerësojnë se kjo nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë një zgjidhje të vetme, e cila do të vlejë për të gjitha 33 vendet e zonës Shengen.

Sipas analizave të tyre, rregulli aktual sipas të cilit shtetasit e vendeve të treta mund të qëndrojnë më së shumti 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, nuk është i përshtatur me specifikat e transportit ndërkombëtar. Për kryerjen pa pengesa të punës, shoferëve profesionistë u nevojiten rreth 130 ditë pune brenda një periudhe gjashtëmujore. (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter