Një gjykatës amerikan në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë, pasi nuk paralajmëroi publikun lidhur me rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët. Vendimi shënon një nga goditjet më të mëdha ligjore ndaj kompanisë për çështjet e sigurisë së të miturve. Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Metën si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar ndikimin e platformave të saj me ndotjen e shkaktuar nga një fabrikë.
Sipas tij, dëmet psikologjike dhe rastet e shfrytëzimit seksual të fëmijëve nuk mbeten vetëm brenda platformave, por krijojnë pasoja edhe në botën reale, duke rënduar familjet, shkollat, spitalet dhe institucionet e zbatimit të ligjit. Vendimi i ri i shtohet 375 milionë dollarëve që Meta ishte urdhëruar të paguante më herët në të njëjtin proces.
Në total, detyrimi financiar i kompanisë arrin në 942 milionë dollarë. Meta, kompania që zotëron Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads, ka deklaruar se nuk pajtohet me vendimin dhe se do ta apelojë. “Ne nuk pajtohemi me vendimin dhe do të apelojmë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se Meta punon për sigurinë e përdoruesve dhe se ka qenë transparente për vështirësitë në identifikimin dhe eliminimin e aktorëve të rrezikshëm dhe përmbajtjes së dëmshme.
Çështja në New Mexico nisi me një padi të ngritur në vitin 2023 nga autoritetet e shtetit. Prokurorët argumentuan se platformat e Metës i ekspozonin fëmijët ndaj materialeve seksuale eksplicite dhe kontakteve me persona të dyshuar si grabitqarë seksualë. Në fazën e parë të gjyqit, gjykata arriti në përfundimin se Meta kishte shkelur në mënyrë të përsëritur ligjet e New Mexico-s për praktikat e padrejta. Sipas gjykatës, algoritmet e rekomandimit të kompanisë u drejtonin përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve dhe kontakteve të dëmshme.
Në fazën e dytë, gjykatësi Biedscheid arriti në përfundimin se dëmet e shkaktuara nga platformat e Metës ishin aq të përhapura sa mund të konsideroheshin një “shqetësim publik”, një koncept ligjor që lidhet me rreziqe që prekin në mënyrë të gjerë shëndetin dhe sigurinë e publikut. Përveç pagesës prej 567 milionë dollarësh, gjykata ka urdhëruar Metën të zbatojë një sërë masash për mbrojtjen e përdoruesve nën 18 vjeç.


