Grupe nacionaliste serbe kanë propaganduar sot se kinse një polic i Kosovës ka sulmuar një vajzë të vogël që ndodhej në duart e një personi (familjar i saj), gjatë manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan. Në rrjetet sociale si “Telegram”, pretendohet se Policia e Kosovës ka arrestuar një prind me fëmijën e tij në krah. Por, krejt ndryshe ndodhi në të vërtetë.
Në videon që edhe vetë këto grupe e kanë shpërndarë, shihet zyrtari i Policisë së Kosovës teksa mundohet të qetësojë një fëmijë që po qante papushim derisa një person, po e mbante në duart e tij, transmeton KosovaPress.
Për shtrembërimin që iu bë kësaj videoje ka reaguar eksperti i çështjeve të sigurisë, Gurakuç Kuçi. Sipas tij, kjo luftë hibride kundër Kosovës duhet të shërbejë si mësim që të rritet kontrolli ndaj propagandës dhe të forcohet bashkëpunimi me të gjitha mediat në Kosovë dhe më gjerë, duke përfshirë edhe ambasadat dhe rrjetet mediatike ndërkombëtare, të cilat mund të dëshmojnë të vërtetën dhe fytyrën destabilizuese të Serbisë.
“Synimi i Serbisë me veprime të tilla është të mobilizojë masën kundër shqiptarëve, që ajo të jetë e përgatitur për krime të reja kur t’i jepet mundësia, ndërsa modeli i saj propagandistik është kopje e regjimeve më gjenocidale që kanë ekzistuar dhe që vazhdojnë të ekzistojnë në botë… Videoja tregon krejtësisht të kundërtën. Aty shihet se polici i Kosovës e mbron atë, por për dezinformuesit serbë as videoja nuk është e mjaftueshme, sepse makineria e tyre e baltës i ka këto lajme dhe ngjarje të përgatitura paraprakisht, duke e ditur saktësisht edhe kohën se kur duhet t’i publikojë dhe si duhet të reagojë”, ka shkruar ai në Facebook.
Siç ka thënë ai tutje, ky lloj i luftës hibride që u bë të dielën kundër Kosovës, është ndërtuar sipas modelit dezinformues rus.







