SHBA: Progres në bisedimet me Iranin! Trump: Nëse Teherani nuk i përmbahet marrëveshjes do bëj atë që duhet

featured
Press Online
23 Qershor 2026, 12:38

Përparim, por ende pa garanci për një marrëveshje përfundimtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Pas një maratone bisedimesh në Zvicër, të dyja palët kanë sinjalizuar hapa pozitivë drejt uljes së tensioneve, megjithëse negociatat mbeten të brishta.

Zëvëndës presidenti amerikan JD Vance deklaroi se është arritur progres i rëndësishëm drejt një kornize për marrëveshjen e paqes, e cila synon të finalizohet brenda 60 ditëve.

Sipas tij, diskutimet kanë hedhur bazat për një zgjidhje afatgjatë që do të përfshinte garantimin e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, fundin e luftimeve në Liban dhe rikthimin e inspektimeve ndërkombëtare në programin bërthamor iranian.

“Kemi vendosur një themel shumë të mirë për një marrëveshje përfundimtare të suksesshme. Nuk e kemi ndërtuar ende shtëpinë, por kemi hedhur bazat për të arritur një rezultat të favorshëm”, tha Vance.

Megjithatë, nga Uashingtoni erdhi edhe një paralajmërim i qartë. Presidenti Donald Trump tha se administrata amerikane do të ndërmarrë veprime nëse Teherani nuk respekton kushtet e marrëveshjes ose devijon nga angazhimet e marra.

“Nëse Irani nuk i përmbahet marrëveshjes, ose nëse nuk sillet siç duhet, do të bëj atë që duhet të bëj”, tha Trump.

Deklaratat tregojnë se, ndonëse ekziston optimizëm për ecurinë e negociatave, mbeten ende pengesa të rëndësishme për t’u kapërcyer.

Tashmë vëmendja është përqendruar te raundet e ardhshme të bisedimeve, të cilat pritet të përcaktojnë nëse ky progres do të shndërrohet në një marrëveshje përfundimtare  mes dy vendeve.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter