Çmimi i pompës për inhalim „Foster“, të cilën e përdorin pacientët me astmë dhe sëmundje pulmonare obstruktive kronike (SPOK), u rrit nga 300 në 1.081 denarë në farmacitë e Maqedonisë së Veriut, shkruan Sloboden Peçat. Çmimet e reja i publikoi Fondi i Sigurimit Shëndetësor të enjten më 18 qershor. Në pyetjen se pse pacientët për „Foster“ në farmaci paguajnë 1.081 denarë në vend të 300 denarëve të deritanishëm, nga Fondi për „Slloboden Peçat“ thanë se formimi dhe miratimi i çmimeve të ilaçeve është në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe pse vetë Fondi është përgjegjës për formimin e çmimeve referente.
Por, „Foster“ u bë më i shtrenjtë për pacientët pasi në treg në listën pozitive u fut ilaçi gjenerik „Bloceta“, i cili sipas FSSHRMV-së është zëvendësim për „Foster“ dhe për të cilin pacientët nuk do të duhet të paguajnë shtesë. Çmimi i ilaçit origjinal „Foster“ u rrit për pacientët sepse FSSHRMV e zvogëloi pjesëmarrjen e tij në mbulimin e shpenzimeve për këtë ilaçt – pra e zvogëloi çmimin referent. Me fjalë të tjera, pagesa shtesë për pacientin u bë më e lartë.
Nga Fondi thonë se prezantimi e një ilaçi gjenerik për astmën dhe SPOK-un është një lehtësim financiar për pacientët.
“Me këtë personat e siguruar bëhen me një opsion terapeutik shtesë në ngarkesë të Fondit, pa pagesë shtesë për dallimin në çmim, gjë që siguron një disponueshmëri më të madhe të terapisë dhe lehtësim financiar për pacientët. Përfshirja e ilaçeve gjenerike në sistemin shëndetësor është një praktikë që aplikohet në sistemet më të zhvilluara shëndetësore evropiane dhe është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thonë nga Fondi Shëndetësor për „Slloboden Peçat“, përcjell PressOnline.al
Por, ka pacientë që duan të vazhdojnë ta përdorin ilaçin e vjetër „Foster“, të cilin kompania „Providence“ e ka regjistruar dhe e importon në Maqedoni nga prodhuesi italian që nga viti 2009. Këta pacientë për „Slloboden Peçat“ thonë se do t’i shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë për reagim.
Një pompë „Foster“ ka 120 doza, ndërsa disa pacientë më kritikë me astmë dhe SPOK marrin edhe nga 8 doza në ditë në fazat fillestare të sulmeve. Për të gjithë ata një dozë „Foster“ deri më tani kushtonte 2,5 denarë, kurse nga e enjtja e njëjta dozë u kushton 10,6 denarë.







