Qindra efektivë policie u dislokuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Mexico Siti përpara ndeshjes hapëse të Kupës së Botës, ndërsa autoritetet shtuan masat e sigurisë për shkak të rrezikut të protestave të mësuesve në mbrëmjen e nisjes së turneut.
Sipas videove të publikuara nga mediet lokale, oficerë të pajisur me helmeta, mburoja dhe shkopinj gome u vendosën brenda dhe jashtë terminalit të aeroportit Benito Juarez. Aeroporti njoftoi se hyrja do të lejohet vetëm për pasagjerët me karta imbarkimi dhe shoqëruesit e domosdoshëm, duke u kërkuar udhëtarëve të mbërrijnë më herët për shkak të demonstratave të mundshme në zonë.
Masat e sigurisë janë forcuar gjithashtu rreth stadiumit “Estadio Azteca”, ku Meksika do të përballet sot me Afrikën e Jugut në ndeshjen e parë të turneut, pas ceremonisë së hapjes.
Paqartësi mbetet edhe për festivalin e planifikuar të tifozëve në sheshin qendror Zócalo, ku një sindikatë radikale e mësuesve vazhdon të mbajë një kamp proteste. Grupi ka organizuar bllokime rrugësh dhe demonstrata në kryeqytet, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të pensioneve të vitit 2007, një kërkesë që qeveria e konsideron të parealizueshme.
Autoritetet po shqyrtojnë ende nëse Zócalo, ku pritet të mblidhen deri në 80 000 vizitorë, do të jetë i disponueshëm për festimet e Kupës së Botës. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum kishte planifikuar ta ndiqte ceremoninë e hapjes aty dhe jo në stadium.
“Nëse Zócalo nuk do të jetë i disponueshëm për ceremoninë e hapjes për çfarëdo arsyeje, ekzistojnë 18 vende ku eventi mund të ndiqet falas”, deklaroi Sheinbaum.
Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Meksiko Siti , Clara Brugada, tha se autoritetet do të sqarojnë më vonë mënyrën se si do të zhvillohet festivali i tifozëve.
Meksika po organizon Kupën e Botës për herë të tretë në histori. Këtë herë turneu zhvillohet bashkërisht me Shtetet e eBashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. Mekskio Siti do të presë pesë ndeshje, ndërsa qytetet Monterrei dhe Guadalajara do të organizojnë nga katër ndeshje secila.







