Sistemi “Safe City”, i vendosur nga Ministria e Punëve të Brendshme për rritjen e sigurisë në komunikacion dhe evidentimin e shkeljeve të rregullave të trafikut, funksionon në dy gjuhë – maqedonisht dhe shqip.
Kjo dëshmohet nga një dokument i siguruar nga redaksia e ORA24.TV, ku vërehet se vendimet dhe njoftimet për kundërvajtjet e regjistruara nga sistemi u dërgohen qytetarëve edhe në gjuhën shqipe.
Dokumenti konfirmon se në zbatimin e projektit “Safe City” është respektuar parimi i përdorimit të dy gjuhëve zyrtare, duke u mundësuar qytetarëve shqiptarë që informacionet dhe aktet e lëshuara nga sistemi t’i pranojnë në gjuhën e tyre amtare.
“Safe City” është një projekt i MPB-së që synon rritjen e sigurisë në komunikacion përmes monitorimit elektronik të trafikut, evidentimit automatik të shkeljeve dhe përmirësimit të disiplinës së pjesëmarrësve në rrugë.
Dokumenti i siguruar hedh poshtë dilemat e ngritura në opinion lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në këtë sistem, duke dëshmuar se ai funksionon në mënyrë dygjuhëshe.






