Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri ka vlerësuar si të pranueshëm Projektligjin për armët, i cili është dorëzuar me flamur evropian dhe është dërguar për shqyrtim të mëtejshëm në Kuvend. Paralelisht, u vendos që për këtë draft të organizohet një debat i gjerë publik, me qëllim përfshirjen e ekspertëve dhe opinionit profesional në proces, informon PressOnline.al.
Sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sasho Petrushevski, deklaroi se ligji i ri është në përputhje me standardet evropiane dhe ka marrë vlerësim pozitiv nga institucionet në Bruksel.
Sipas tij, projektligji merr në konsideratë rekomandimet e Komisionit Evropian, si dhe disa rregullore dhe direktiva të BE-së. Ai theksoi se ndryshimet janë të nevojshme për të tejkaluar paqartësitë dhe vështirësitë që janë hasur në zbatimin e ligjit aktual për armët.
Në hartimin e dokumentit janë përfshirë edhe përfaqësues të Odës së Sigurimit Privat, Grupacionit për Armë pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, federatave të gjuetisë dhe qitjes, si dhe organizata të shoqërisë civile.
Projektligji tashmë kalon në fazën e ardhshme të procedurës parlamentare, ndërsa debati publik pritet të sjellë propozime shtesë para miratimit përfundimtar. (PressOnline.al)






