Kandidatja për presidente e Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani gjatë një tubimi zgjedhor në Rahovec ka folur për themelet historike të shtetit të Kosovës, sakrificën për liri dhe orientimin strategjik të vendit drejt partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrimeve euroatlantike.
Duke e cilësuar Rahovecin si një simbol të historisë, punës dhe qëndresës, Osmani tha se ky qytet mban një vend të veçantë në identitetin e Kosovës. Ajo vuri në pah lidhjen e Rahovecit me Dardaninë antike dhe traditën shekullore të vreshtarisë, duke e përshkruar atë si “qytetin e hardhisë dhe verës”, ku vlerësohet puna dhe sakrifica.
Në fjalimin e saj, Osmani nderoi martirët dhe dëshmorët e Rahovecit, duke theksuar se sakrifica e tyre ka vendosur themelet e shtetit të Kosovës. Sipas saj, liria dhe pavarësia e vendit janë rezultat i përkushtimit dhe flijimit të brezave të tërë.
Ajo identifikoi tri shtylla kryesore mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës: sakrificën për liri, filozofinë politike të presidentit historik Ibrahim Rugova dhe aleancën me partnerët ndërkombëtarë. Osmani tha se pikërisht përmes këtyre shtyllave Kosova arriti të ndërtojë rrugën drejt pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare.
Duke folur për raportet me Shtetet e Bashkuara, Osmani theksoi se partneriteti me Uashingtonin mbetet interes jetik shtetëror. Ajo kujtoi mbështetjen amerikane në periudhat më të vështira për Kosovën dhe nënvizoi se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë partneri strategjik më i rëndësishëm i vendit.
Në fund, Osmani paraqiti vizionin e saj për një Kosovë më të fuqishme dhe më të respektuar në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së aleancave ekzistuese dhe ndërtimit të partneriteteve të reja.




