VLEN: Kundër kujt proteston Bujar Ahmeti, kundër vetvetes apo kundër axhës së tij Ali Ahmetit?

featured
Press Online
22 Maj 2026, 11:56

Partia VLEN ka reaguar ndaj pjesëmarrjes së Bujar Ahmetit në protestën e studentëve shqiptarë, duke e cilësuar situatën si “ironinë më të madhe politike”.

Në reagimin e saj, VLEN thekson se Bujar Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, ka qenë pjesë e sistemit si zëvendës-anëtar në komisionin për provimin e jurisprudencës – një provim që zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase – ndërsa është parë duke protestuar për kërkesën që ky provim të mundësohet në gjuhën shqipe.

“Prandaj shtrohet pyetja: kundër kujt proteston Bujar Ahmeti? Kundër vetvetes si pjesë e sistemit që për vite të tëra e mirëmbajti këtë padrejtësi? Apo kundër axhës së tij, Ali Ahmetit, i cili për më shumë se 22 vite ishte në pushtet dhe emëroi ministra të drejtësisë që nuk ndërmorën asnjë hap për ta zgjidhur këtë çështje?”, thuhet në reagim.

VLEN akuzon BDI-në se për më shumë se dy dekada ka manipuluar shqiptarët me premtime për avancimin e të drejtave, ndërsa, sipas tyre, studentët shqiptarë kanë vazhduar të përballen me pengesa dhe diskriminim institucional.

“Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për fotografi dhe aktrim politik. Ata kanë nevojë për zgjidhje konkrete, të cilat BDI nuk i dha për 22 vite me radhë”, theksohet më tej.

Nga VLEN vlerësojnë se koha e manipulimeve politike mbi çështjet kombëtare ka përfunduar, duke shtuar se qytetarët shqiptarë meritojnë përgjegjësi dhe jo hipokrizi politike.

Në fund, partia premton se me ardhjen e saj në pushtet, provimi i jurisprudencës do të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter