Me rregulloren e re, platformat online do të duhet të dorëzojnë raporte për të gjitha rezervimet që bëhen përmes tyre, drejtpërdrejt te shtetet
Bashkimi Evropian zyrtarisht ka nisur zbatimin e rregullave të reja për platformat digjitale për dhënie me qira afatshkurtër të kapaciteteve akomoduese, me çka “Booking”, “Airbnb” dhe shërbimet e tjera online hyjnë nën kontroll dukshëm më të rreptë. Rregullorja e re, e cila tashmë vlerësohet si hap historik në turizmin evropian, ka për qëllim t’i japë fund dhënies së paregjistruar të akomodimit, mospagesës së taksave turistike dhe ekonomisë gri, e cila prej vitesh po rritet paralelisht me zgjerimin e platformave digjitale, shkruan Slloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Sipas ekspertëve turistikë në Maqedoni, kjo paraqet një pikë kthese që do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ekonomisë gri, përmirësimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve të barabarta mes hoteleve dhe qiradhënësve privatë. Bëhet fjalë për Rregulloren e BE-së 2024/1028, me të cilën çdo shtet anëtar do të duhet të krijojë një sistem të vetëm digjital për regjistrimin e nikoqirëve dhe kapaciteteve akomoduese, ndërsa platformat do të jenë të detyruara të dorëzojnë rregullisht të dhëna për transaksionet, numrin e fjetjeve dhe aktivitetet e nikoqirëve te institucionet shtetërore.
Doc. dr. Ljupço Janevski, ish-drejtor i Odës Turistike, për “Slloboden Peçat” thotë se Bashkimi Evropian praktikisht po krijon një model krejtësisht të ri të menaxhimit të platformave turistike.
“Bashkimi Evropian i rregullon më tej marrëdhëniet mes platformave digjitale dhe legjislacionit, duke krijuar kushte të njëjta në industrinë turistike mes hoteleve dhe kapaciteteve të tjera akomoduese. Në këtë mënyrë, përveç qiradhënësve të banesave dhe apartamenteve, rregullohen të gjitha kapacitetet private akomoduese, me çka shteti fiton kontroll të plotë”, thotë Janevski.
Ai thekson se rregullat e reja evropiane do ta zvogëlojnë ndjeshëm hapësirën për veprimtari ilegale.
“Platformat online duhet t’u dorëzojnë shteteve raporte për të gjitha transaksionet, provizionet dhe numrin e fjetjeve, në mënyrë të përgjithshme dhe individuale, gjë që drejtpërdrejt e ngushton hapësirën për ekonominë gri në industrinë turistike të BE-së”, thekson Janevski.
Sipas tij, Maqedonia prej vitesh është vonuar në digjitalizimin e sektorit turistik, ndërsa vendosja e sistemit E-turizëm bëhet domosdoshmëri.
“Kjo është edhe një dëshmi se kërkesat për krijimin dhe vendosjen e digjitalizimit përmes platformës E-turizëm janë kyçe dhe të nevojshme për rregullimin e platformave botërore dhe uljen e ekonomisë gri, e cila sipas Organizatës Botërore të Turizmit në Maqedoni arrin mes 45 dhe 50 për qind të të gjitha pagesave”, thekson ai.
Janevski paralajmëron se shteti aktualisht nuk kontrollon një qarkullim të madh turistik.
“Mund të imagjinojmë se shteti në këtë moment nuk rregullon rreth 120 deri në 150 milionë dollarë qarkullim turistik, i cili nuk tatohet”, shton ai.
Sipas analizave të tij, vendosja e një strukture të plotë turistike, Organizate Kombëtare Turistike, inspektorati turistik dhe policie turistike do të mundësonte uljen e konkurrencës jolojale, investime të reja dhe rritje të ndjeshme të numrit të fjetjeve të regjistruara.
“Hulumtimet tregojnë se rreth një milion fjetje në vit realizohen përmes pagesave me para në dorë dhe platformave online pa kontroll të plotë”, thekson Janevski, duke shtuar se institucionet duhet t’i ndjekin më shpejt trendet botërore të turizmit.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe Krste Blazhevski nga HOTAM, i cili vlerëson se rregullat e reja më në fund do të vendosin rend në sektorin e akomodimit privat.
“Deri më tani nuk kishte evidencë të mysafirëve, nuk paguhej taksa turistike, nuk garantohej siguria e banorëve në ndërtesat ku jepeshin apartamente me qira”, thotë Blazhevski.
Ai thekson se rregullat e reja sjellin përfitime jo vetëm për sektorin turistik, por edhe për qytetarët.
“Me rregullat e reja rritet siguria në ndërtesën ku jetoni, do të dihet kush e përdor banesën, do të ketë evidencë të turistëve, do të paguhet taksa turistike dhe çdo turist do ta paguajë atë që duhet ta paguajë”, thekson Blazhevski.
Rregullorja e re evropiane parasheh që platformat si “Airbnb” dhe “Booking” detyrimisht të kontrollojnë nëse kapacitetet akomoduese kanë numër të vlefshëm regjistrimi. Shpalljet që nuk i plotësojnë kushtet do të hiqen, ndërsa autoritetet kombëtare do të kenë të drejtë të pezullojnë ose të tërheqin regjistrimin nëse konstatohet keqpërdorim apo veprimtari ilegale.
Komisioni Evropian e propozoi rregulloren që në vitin 2022, pasi shumë qytete evropiane paralajmëruan se dhënia masive me qira afatshkurtër ndikon në çmimet e banimit, krijon presion shtesë mbi infrastrukturën dhe hap hapësirë për qarkullim turistik të paregjistruar.



