Një grup anonim i personelit akademik dhe administrativ të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) ka dorëzuar parashtresë në Inspektoratin Shtetëror të Arsimit dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar verifikimin e ligjshmërisë së zgjedhjes së rektorit Sadudin Ibraimi.
Në parashtresë ngrihen dyshime për mosplotësimin e kritereve të konkursit dhe për një konflikt të mundshëm interesi gjatë procesit të zgjedhjes së rektorit.
Njëra nga çështjet që kërkohet të shqyrtohet lidhet me njohjen e gjuhës angleze nga ana e Ibraimit. Sipas parashtresës, në aplikimin e datës 3 prill 2025, ai ka deklaruar se e njeh gjuhën angleze në nivelin fillestar, përkatësisht “beginner”, ndërsa konkursi për rektor kërkonte njohje solide të kësaj gjuhe.
Çështja e dytë ka të bëjë me konfliktin e mundshëm të interesit. Sipas iniciativës, Sadudin Ibraimi dhe Veli Kreci, anëtar i organeve universitare, janë kushërinj të parë. Në parashtresë pretendohet se Kreci ka marrë pjesë në votimin e Senatit për tre nga katër kandidaturat për rektor, ndërsa në një fazë të mëvonshme, në Bordin e Universitetit, është përjashtuar nga votimi nga presidenti i Bordit për shkak të konfliktit të interesit me kandidatin Ibraimi.
Për këtë arsye, iniciuesit shtrojnë pyetjen se përse lidhja familjare është marrë parasysh në Bordin e Universitetit, por jo edhe gjatë votimit në Senat.
Në parashtresë kërkohet këqyrja e dokumentacionit origjinal, procesverbaleve dhe rezultateve të votimit, si dhe verifikimi i përmbushjes së kritereve të konkursit dhe respektimit të dispozitave ligjore për parandalimin e konfliktit të interesit.
Nga grupi, i cili prezantohet si “Iniciativa për reforma në UEJL”, kërkohet që institucionet kompetente të shqyrtojnë pretendimet dhe, në rast se konstatohen shkelje, të ndërmarrin masat përkatëse ligjore.


