Referendumi për ndryshimet kushtetuese është thikë me dy tehe

featured
Press Online
22 Maj 2026, 15:23

Ish-ambasadori Viktor Gaber kërkoi referendum për ndryshimet kushtetuese si rrugë drejt vazhdimit të negociatave me Bashkimin Evropian. Analistët politikë me të cilët bisedoi Slloboden Peçat paralajmërojnë se, në momentin aktual politik, një hap i tillë mund të shkaktojë kundërefekt dhe një bllokadë të re, përcjell PressOnline.al.

Ideja e ish-ambasadorit Viktor Gaber që deputetët të shpallin referendum për ndryshimet kushtetuese, me të cilat në Kushtetutë do të përfshiheshin bullgarët dhe pakicat e tjera, hapi një dilemë të re politike: a duhet qytetarët të deklarohen drejtpërdrejt për një çështje nga e cila varet vazhdimi i negociatave evropiane, apo një hap i tillë, në klimën aktuale politike, mund të prodhojë efekt të kundërt.

Gaber, diplomat karriere, filatelist, publicist dhe ish-ambasador, ka dorëzuar një kërkesë në Kuvend, në të cilën kërkon nga deputetët të nisin procedurën për shpalljen e referendumit. Sipas arsyetimit të tij, referendumi paraqet shprehjen më të lartë të vullnetit të qytetarëve dhe duhet të tregojë nëse ata e mbështesin ndryshimin e Kushtetutës si kusht për vazhdimin e rrugës evropiane të shtetit.

Në parashtresë, Gaber thekson se nëse shumica e qytetarëve deklarohen “pro”, deputetët do të merrnin një konfirmim të qartë politik për ta zbatuar ndryshimin kushtetues. Por, nëse shumica voton “kundër”, atëherë, sipas tij, Kuvendi duhet t’i shfuqizojë dokumentet e deritanishme me të cilat anëtarësimi në Bashkimin Evropian është përcaktuar si orientim strategjik i shtetit dhe të miratojë një strategji të re shtetërore.

Pikërisht për këtë arsye, iniciativa hap një çështje të ndjeshme politike. Në teori, referendumi duhet të konfirmojë vullnetin e qytetarëve, por në klimën aktuale politike në vend ekziston frika se, në vend që të ofrojë dalje nga bllokada, ai mund ta “lidhë” edhe më shumë procesin evropian dhe ta thellojë ndarjen e brendshme.

Kundërefekti

Ish-kryetari i Kuvendit, Tito Petkovski, në një deklaratë për “Sloboden Peçat”, shpjegon se referendumi është një nga instrumentet më demokratike për shprehjen e vullnetit të qytetarëve, por paralajmëron se në praktikën politike maqedonase ai shpesh nuk ka qenë shprehje e vërtetë e vullnetit qytetar, por mjet për manipulim politik.

“Referendumi është ndoshta institucioni më demokratik për shprehjen e vullnetit dhe pritjeve të qytetarëve, si dhe për marrjen e vendimeve politike relevante dhe të rëndësishme. Ai përdoret shpesh në vende me traditë të fortë demokratike dhe parlamentare, si Zvicra dhe Sllovenia, ku qytetarët deklarohen edhe për çështje komunale, veçanërisht kur duhet të përballojnë një kosto të caktuar”, thotë Petkovski.

Nga aspekti teorik, thekson ai, vështirë se mund të gjendet ndonjë vërejtje ndaj referendumit si mekanizëm demokratik, por përvoja maqedonase që nga pavarësia e deri më sot tregon një pamje tjetër.

“Nga aspekti i praktikës dhe përvojës sonë me referendumet që nga pavarësia e deri më sot, ky mekanizëm nuk u dëshmua si shprehje reale e vullnetit të qytetarëve për një çështje të caktuar. Shpesh keqpërdoret dhe përdoret për manipulim të pastër – ose për të konfirmuar diçka që partitë në pushtet e konsiderojnë si më të drejtën, ose për të kundërshtuar diçka që nuk u përshtatet”, thekson Petkovski.

Ai paralajmëron se në kushtet aktuale, veçanërisht për shkak të tensioneve politike dhe etnike, shpallja e referendumit për çështje me interes shtetëror dhe kombëtar mund të ketë efekt të kundërt.

“Ajo komponentë etnike nuk guxon kurrë të harrohet kur shpallet referendum për një çështje të caktuar. Ai mund të jetë shprehje e vërtetë e vullnetit, por mund të shndërrohet edhe në bazë për pengimin e politikave të caktuara që shteti i ka përcaktuar si fundamentale, përkatësisht si çështje të interesit kombëtar dhe shtetëror”, thotë Petkovski.

Në këtë kontekst, ai e përmend rrugën evropiane të shtetit si një nga çështjet rreth të cilave, të paktën në nivel deklarativ, për një kohë të gjatë ka ekzistuar konsensus i gjerë politik dhe qytetar.

“Një nga këto çështje është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Në Maqedoni, qytetarët në përqindje shumë të lartë janë të përcaktuar që integrimi evropian të jetë prioritet. Por pikërisht për këtë arsye, para një vendimi eventual për referendum, duhet të merren parasysh gjendjet aktuale në shoqëri dhe raportet mes partive politike, të cilat ndoshta kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët”, vlerëson Petkovski.

Politikë e gabuar

Sipas tij, problem shtesë është përqendrimi politik i pushtetit dhe ndikimi i fuqishëm i partisë në pushtet mbi votuesit.

“Tani VMRO-DPMNE ka pushtet absolut në shtet – nga vetëqeverisja lokale, përmes pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, e deri te presidentja e shtetit. Me gjasë ka ndikim të fuqishëm edhe te votuesit. Prandaj, referendumi mund të shndërrohet në konfirmim të një vendimi që, në fund të fundit, do t’i shkaktonte shumë dëm Maqedonisë”, thotë Petkovski.

Ai e kritikon retorikën sipas së cilës shteti mund të presë me vite pa bërë hap përpara drejt Bashkimit Evropian.

“Nëse qytetarët e pranojnë atë që e thotë kryeministri, se nëse duhet edhe dhjetë vjet do të rrimë kështu dhe do të presim, kjo është politikë shumë e gabuar. Nuk guxon të lejohet që shteti të bjerë në gjunjë dhe t’i thyhet shtylla kurrizore. Kjo mund të jetë një manipulim i zakonshëm”, shton Petkovski.

Ish-kryetari i Kuvendit vlerëson se për momentin nuk ekziston as qëndrim i qartë i përbashkët te opozita për mënyrën se si Maqedonia duhet të arrijë deri te anëtarësimi në BE.

“Opozita nuk është e bashkuar. Keni qëndrime të kundërta mes partive të majta, centriste dhe të djathtës maqedonase. Disa do të bëjnë fushatë që të dilet në referendum, të tjerë që të mos dilet. Disa do të jenë ‘pro’, të tjerë ‘kundër’. Te ne nuk ka interes strategjik të definuar nga të gjitha partitë politike për rrugën nëpër të cilën duhet të arrihet deri te anëtarësimi në BE”, thotë Petkovski.

Ai paralajmëron gjithashtu se çështjet etnike lehtë mund të shfrytëzohen në një fushatë referendumi.

“Te ne zgjedhjet shpesh fitohen duke i përplasur bashkësitë etnike. Prandaj mendoj se tani nuk është momenti i duhur për të shkuar në referendum për anëtarësimin në BE”, vlerëson Petkovski.

Sipas tij, Maqedonia duhet të kërkojë një formulë të re politike dhe një qasje të mençur ndaj integrimit evropian, në vend që të hyjë në një proces që mund ta thellojë edhe më shumë ndarjen e brendshme.

Koha e gabuar

Mendim të ngjashëm ndan edhe profesori universitar Jove Kekenovski, i cili në një bisedë për “Sloboden Peçat” paralajmëroi se shpallja eventuale e referendumit për ndryshimet kushtetuese në këtë moment mund ta shuajë përfundimisht shpresën evropiane të Maqedonisë.

Ai vlerëson se ideja për referendum, në vetvete, mund të jetë fisnike dhe demokratike, por në momentin aktual politik do të ishte hap i gabuar.

“Mendoj se ideja është fisnike dhe e mirë, mirëpo koha është plotësisht e gabuar. Duke pasur parasysh disponimin e popullit, jam i sigurt se mbajtja e referendumit përfundimisht do t’i bllokojë negociatat”, thotë Kekenovski.

Ai konsideron se Maqedonia në këtë periudhë duhet t’i ndjekë me kujdes sinjalet që vijnë nga Bashkimi Evropian, sepse, siç thekson, kanë filluar të fryjnë “erëra pozitive”.

“Nga ana tjetër, kanë filluar të fryjnë erëra pozitive në Bashkimin Evropian. Po shihni se po ndahen mjete për Maqedoninë në fusha ku në mënyrë eksplicite theksohet se kemi përparim, si arsimi, digjitalizimi, infrastruktura dhe sektorë të tjerë”, thekson profesori.

Kekenovski nuk e përjashton mundësinë që në periudhën e ardhshme të hapet edhe një debat më i gjerë brenda vetë BE-së për ndryshimin e mënyrës së vendimmarrjes, veçanërisht kur bëhet fjalë për zgjerimin dhe bllokadat që burojnë nga parimi i unanimitetit.

“Nuk do të më befasonte që së shpejti të ndodhin gjëra pozitive. Gjithnjë e më shumë po rritet presioni për ndryshime në legjislacion dhe në mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Ndoshta jo me shumicë absolute si deri tani, por me shumicë të kualifikuar. Këtu gjasat janë shumë reale”, shton Kekenovski.

Sipas tij, pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, Maqedonia nuk duhet të hyjë në një aventurë referendare, e cila që në fillim mund ta mbyllë hapësirën për zgjidhje politike.

“Prandaj konsideroj se në një situatë të tillë nuk duhet të mbahet referendum”, përfundon Kekenovski.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter