Princ William ka dhënë një intervistë të rrallë live këtë të premte, ku foli me shumë emocion për rikuperimin e bashkëshortes së tij, Catherine, Princesha e Uellsit, pas betejës së saj me kancerin dhe rikthimit gradual në jetën publike.
Gjatë intervistës për emisionin “Heart Breakfast”, Princi i Uellsit u shpreh krenar për forcën dhe përkushtimin e Kate, sidomos pas vizitës së saj të fundit në Itali në kuadër të projektit për zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
Ajo është një nënë e mrekullueshme, një bashkëshorte e jashtëzakonshme dhe familja jonë nuk do t’ia dilte pa të. Ka qenë vërtet fantastike
-tha William.
Ai tregoi se princesha ka kaluar shumë sfida gjatë dy viteve të fundit, por pavarësisht gjithçkaje ka vazhduar të mbetet e përkushtuar ndaj familjes dhe projekteve të saj publike.
Ajo ka qenë e jashtëzakonshme. Ka kaluar shumë gjëra në këto dy vitet e fundit dhe mezi e kishte pritur udhëtimin në Itali. Jam shumë i lumtur që gjithçka shkoi mirë për të
-u shpreh ai.
Princi William foli edhe për vështirësitë që sjellin angazhimet zyrtare dhe udhëtimet e shumta, duke theksuar se familja përpiqet të ruajë një ekuilibër, në mënyrë që Kate të ketë kohë të pushojë dhe të kujdeset për shëndetin e saj.
Në një moment më të lehtë të intervistës, ai ndau edhe disa detaje nga rutina familjare me tre fëmijët e tyre, Princ George, Princesha Charlotte dhe Princ Louis, duke treguar me humor “kaosin” e mëngjeseve para nisjes për në shkollë.
Deklaratat e princit janë komentuar gjerësisht në mediat britanike dhe rrjetet sociale, ku shumë ndjekës i kanë cilësuar fjalët e tij si një nga momentet më të ndjera publike për Kate Middleton që prej rikthimit të saj gradual në angazhimet mbretërore.



