Konviktet nuk mbyllen më, Qendra e Studentëve “heq çelësin” e mesnatës

featured
Press Online
19 Maj 2026, 20:09

Dyert e konvikteve nga tash nuk kanë orar për vendosjen e drynit.

Nga kjo e martë, Qendra e Studentëve ka hequr orarin e mbylljes pas mesnate, duke i lënë konviktet të hapura 24 orë për studentët që banojnë aty.

I vetmi kusht për hyrjet me vonesë, mbetet arsyetimi i saj.

Ky vendim po mirëpritet nga një pjesë e studentëve, të cilët thonë se liria e lëvizjes është e nevojshme.

“Unë këtë vendim e shoh të arsyeshëm, përderisa jena mbi 18 vjet, jena të lirë me bë çka dojmë, edhe është muaji i fundit i konviktit, kena qef me shiju më shumë”.

Por jo të gjithë e shohin pozitivisht këtë ndryshim.

“Nuk kam koment për këtë punë, sepse nuk kish qenë edhe aq e mirë me nejt gjatë gjithë kohës hapur konvikti, sepse shumica mundet me qenë pengesë për të tjerët”.

“Mu personalisht nuk më pëlqen, pasi atëherë ka pas rregull, dhe normal shqetësohen personat e tjerë që i kanë dhomat afër dritareve sepse dëgjohet gjithçka që ndodh jashtë, edhe besoj që do ka qef me fjet, kanë në mëngjes herët, pengon”.

Ndërkohë, drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari, thotë se vendimi është marrë pikërisht nga kërkesa e studentëve që konvikti të operojë në këtë formë.

“Sepse kur kanë ardh pas orës 12-të, dikush nga recepsionistët ka hezitu me hap derën menjëherë, ose ka prit 5-10 min deri është hap dera. Tash është e njëjta vetëm se nuk mbyllet dera me çels, Studenti legjitimohet pas orës 12-të, si në hyrje si në dalje”, u shpreh Rudari.

Sipas Rudarit, cilido student që vonohet pa arsye për të hyrë në konvikt dhe kjo përsëritet, ka mundësi edhe të përjashtohet.

Një vendim si ky, sipas njohësve të Arsimit mund të ndikojë negativisht në sigurinë e studentëve.

“Konviketet nuk janë vend ahengu, janë vend studimi. Besoj se kjo hapja totale mund ta cënojë sigurinë, poashtu edhe atë qetësinë e nevojshme që iu duhet studentëve për punë, nuk besoj se është vendim i mençur, nekemi pas rregull dihet kur mbylletkonvikti, pra rregull strikt”, deklaroi njohësi i arsimit, Jonuz Salihaj.

Në vendimin e Qendrës së Studentëve thuhet se çdo hyrje pas mesnate duhet të evidentohet, ndërsa moszbatimi i rregullave nga ana e recepsionit do të trajtohet sipas rregullores në fuqi.

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter