Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbërritur në Pekin të mërkurën për një samit me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, në një kohë kur lufta në Iran dhe pasojat e saj në tregjet globale të energjisë mund t’i ndikojnë përpjekjet për stabilizimin e marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.
Trump, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë në Kinë që nga viti 2017, do t’i nisë bisedimet zyrtare dyditore me Xinë të enjten.
Derisa tensionet tregtare, Tajvani, inteligjenca artificiale dhe eksportet e mineraleve të rralla pritet të jenë në krye të agjendës, konflikti në Iran dhe ndalja pothuajse e plotë e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit i kanë shtuar urgjencë dhe kompleksitet takimit.
Duke folur para nisjes nga Uashingtoni, Trump hodhi poshtë sugjerimet se Pekini mund të luajë rol vendimtar në përfundimin e luftës.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndihmë me Iranin”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën mbrëma.
“Ne do ta fitojmë atë në një mënyrë ose në një tjetër, qoftë në mënyrë paqësore apo ndryshe”, shtoi ai.
Samiti pritet të jetë një sprovë nëse Uashingtoni dhe Pekini mund ta ruajnë një ekuilibër të brishtë në një kohë kur paqëndrueshmëria globale po rritet. Të dy qeveritë, sipas analistëve, duket se janë të përqendruara në ruajtjen e stabilitetit në një nga marrëdhëniet dypalëshe më të rëndësishme në botë, pasi pasiguria ekonomike dhe krizat gjeopolitike po rriten globalisht.
“Si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë interes të përbashkët për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme mes vete”, tha për Radion Evropa e Lirë Rana Mitter, kryesues i marrëdhënieve SHBA-Azi në Harvard Kennedy School.
“Shtetet e Bashkuara kanë qartazi interesa aktive diku tjetër, veçanërisht në Lindjen e Mesme në këtë moment, ndërsa Kina është gjithashtu e interesuar ta ringjallë ekonominë e vet të dobësuar”, shtoi ai.
Armëpushimi tregtar nën presion
Pavarësisht zhvillimeve gjeopolitike, të dy palët kanë sinjalizuar se çështjet tregtare dhe ekonomike do të mbeten në qendër të samitit.
“Do të flasim me presidentin Xi për shumë çështje të ndryshme”, tha Trump para se të hipte në avionin e Air Force One. “Mbi të gjitha do të jetë tregtia”.
Vizita e tij po ndodh gjithashtu në një moment politikisht delikat për të dy liderët.
Trump është përballur me kritika të brendshme për pasojat ekonomike të luftës në Iran, veçanërisht për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe shqetësimet për inflacionin të lidhura me ndërprerjet në furnizimet energjetike nga Lindja e Mesme.
Për Pekinin, ngadalësimi i rritjes së eksporteve dhe shqetësimet mbi kërkesën globale japin sinjale alarmuese për ekonominë e vendit dhe kanë rritur presionin për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Uashingtonin.
Zyrtarët e administratës Trump thonë se Shtëpia e Bardhë shpreson ta ruajë një armëpushim të brishtë tregtar të arritur vitin e kaluar, i cili lehtësoi disa tarifa dhe kontrolle eksporti në këmbim të rifillimit të dërgesave kineze të mineraleve të rralla. Zinxhiri i furnizimit të këtyre mineraleve mbizotërohet nga Kina dhe ato janë jetike për industrinë prodhuese dhe atë të mbrojtjes në SHBA.
Dy palët pritet gjithashtu të diskutojnë blerjet e produkteve bujqësore amerikane dhe avionëve Boeing, si dhe mekanizma të mundshëm për koordinim ekonomik në të ardhmen.
Tajvani, Irani dhe fërkimet strategjike
Zyrtarët kinezë pritet gjithashtu të ushtrojnë trysni ndaj Trumpit lidhur me Tajvanin, të cilin Pekini e konsideron territor të vetin dhe është zotuar se një ditë do ta marrë nën kontrollin e vet.
Përtej Tajvanit, Irani pritet të mbetet në qendër të diskutimeve.
Kina ka ruajtur lidhje të ngushta me Teheranin gjatë gjithë konfliktit, duke vazhduar të blejë naftë iraniane ndërsa publikisht ka kritikuar veprimet amerikane në rajon. Pekini gjithashtu është përpjekur të paraqitet si një forcë diplomatike stabilizuese.
Administrata Trump e ka vëzhguar kujdes gjithnjë e më të madh lidhjen mes tyre. Javët e fundit, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj disa kompanive kineze të akuzuara për përpunimin e naftës bruto iraniane dhe ndaj katër entiteteve kineze që dyshohet se lidhen me mbështetje satelitore për operacionet ushtarake iraniane.
Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë samitit Trump pritet të ushtrojë trysni ndaj Xisë për mbështetjen ekonomike që Pekini i jep Teheranit.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se asnjëra palë nuk duket e etur për një përballje të madhe.
“Për Iranin dhe çështjet më të gjera gjeopolitike, diskutimet mund të fokusohen në shmangien e rritjeve të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe menaxhimin e rrezikut të përshkallëzimit, por një përputhje e thellë qëndrimesh nuk ka gjasa të ndodhë duke pasur parasysh dallimet strategjike themelore”, tha për REL-in Alicia Garcia-Herrero, ekonomiste për rajonin Azi-Paqësor në firmën franceze financiare Natixis./REL



