Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani në emisionin “Gjurmët” në Alsat-M ka thënë se Këshilli universitar me ndryshimet e reja do të ketë një rol mbikëqyrës dhe se tani ajo merr kompetenca.
Sipas tij, Këshilli universitar edhe në ligjin paraprak ka qenë prezent, por nuk ka pasur një rol aktiv në menaxhimin e universiteteve.
“Tash me ndryshimet e reja kjo do të ketë rol mbikëqyrës, në fillim pati kritika se ka shumë anëtarë të propozuar nga qeveria, në fillim ishin pesë pastaj me ndryshimet që bëmë do ketë vetëm 3 anëtarë. Tre janë nga Senati, një përfaqësues nga studentët dhe një nga OEMVP. Dalëngadalë kemi arritur t’i tejkalojmë të gjitha problemet që kanë paraqitur universitetet”, tha ai.
Autonomia përmendet 29 herë
Sipas tij, kur është fjala te autonomia e universiteteve, thonë se kanë qenë të kujdesshëm.
“Edhe te autonomia, ajo është e garantuar me kushtetutë po edhe me ligj, vetëm në propozim- ligjin për arsim të lartë fjala autonomi përmendet diku mbi 29 herë, që do të thotë se kemi qenë të kujdesshëm në ruajtjen e autonomisë së universiteteve”, ka thënë zv/ministri Sulejmani.



