Ukraina do të zbatojë një armëpushim të vetin me Rusinë më 5 dhe 6 maj, njoftoi sot presidenti Volodymyr Zelensky, pas shpalljes nga Moska të një armëpushimi të njëanshëm me rastin e përkujtimeve të 9 majit 1945.
“Në këtë moment, nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare drejtuar Ukrainës lidhur me mënyrën e zbatimit të një ndalimi të luftimeve, për të cilin po flitet në rrjetet sociale ruse”, deklaroi Zelensky në një mesazh të publikuar në platformën X.
“Në këtë kontekst, ne shpallim një regjim armëpushimi duke filluar nga ora 00:00 në natën mes 5 dhe 6 majit”, shtoi ai.
”Ushtria ruse do të respektojë një armëpushim të njëanshëm me Ukrainën më 8 dhe 9 maj për përkujtimet e 9 majit në Rusi të fitores sovjetike ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945”, njoftoi sot nga ana e saj Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Në përputhje me një vendim të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse, Vladimir Putin, është shpallur një armëpushim nga 8 deri më 9 maj 2026”, deklaroi ministria në një mesazh të postuar në MAX, një aplikacion mesazhesh i mbështetur nga shteti.
Presidenti rus, Vladimir Putin shpalli një armëpushim me Ukrainën edhe për Pashkët Ortodokse, ndërsa Kievi propozoi gjithashtu një pauzë të konfliktit.



