LSDM akuzon për rritje të borxhit, VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet me akuza për dezinformim

featured
Press Online
03 Maj 2026, 20:57

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, ka akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski dhe qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për rritje të ndjeshme të borxhit publik dhe menaxhim të dobët ekonomik.

Sipas Kuzeskës, për dy vite në pushtet, borxhi publik është rritur për 2.3 miliardë euro, duke arritur në 10.774 miliardë euro, që sipas saj përbën nivelin më të lartë historik. Ajo theksoi se qeveria po merr hua pa krijuar vlerë reale në ekonomi dhe pa siguruar mjete për rritjen e pagave.

“Huamarrjet bëhen për tenderë kriminalë dhe pasurimin e strukturave të pushtetit, ndërsa qytetarët paguajnë çmimin përmes standardit të tyre jetësor,” deklaroi Kuzeska, duke shtuar se barra e borxhit do të rëndojë edhe mbi gjeneratat e ardhshme, përcjell PressOnline.al

Ajo gjithashtu pretendoi se të ardhurat buxhetore janë realizuar vetëm në masën 20%, duke e cilësuar këtë si tregues të dobët të performancës ekonomike dhe duke kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Mickoski për përparim ekonomik.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i hodhi poshtë akuzat, duke e cilësuar LSDM si parti pa kredibilitet për të folur mbi ekonominë.

Sipas partisë në pushtet, gjatë qeverisjes së LSDM-së vendi u përball me rreziqe serioze financiare, ndërsa ata akuzojnë opozitën për përhapje të gënjeshtrave dhe manipulime për qëllime politike.

“Parashikimet për falimentim nuk u realizuan. Përkundrazi, pagat janë rritur dhe janë respektuar kontratat kolektive,” thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se nuk ka pasur parregullsi në fondet evropiane dhe se pretendimet për bllokim të tyre janë demantuar nga Brukseli.

Qeveria thekson se ka ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e kushteve në sektorë kyç si shëndetësia, arsimi dhe siguria, ndërsa akuzon opozitën për përhapje paniku të pabazë në opinionin publik.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter