VLEN: Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani të lidhur me kontrata të dyshimta në projektin energjetik

featured
Press Online
01 Maj 2026, 13:29

Koalicioni VLEN ka akuzuar sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se për vite me radhë ka mbrojtur interesa private dhe kontrata të dyshimta në dëm të qytetarëve, veçanërisht në lidhje me projektin për interkoneksionin energjetik me Shqipërinë.

Sipas VLEN-it, në vend që të japë përgjigje për vonesat shumëvjeçare të projektit, BDI ka zgjedhur të “sulmojë dhe manipulojë opinionin publik” për të fshehur, siç thuhet, dështimet dhe interesat e saj.

Ata pretendojnë se prishja e kontratës për projektin, i cili sipas tyre është realizuar vetëm rreth 4% për më shumë se pesë vite, ka shkaktuar panik brenda BDI-së, pasi dyshohet se përmes saj janë tërhequr mjete të konsiderueshme publike.

VLEN thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë për përfshirjen e nënkontraktorëve të afërt me lidershipin e BDI-së, duke përmendur lidhje me figura politike si Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani.

Në reagim thuhet gjithashtu se përmes kontratave fiktive dhe detyrimeve të parealizuara janë zhvendosur fonde publike drejt kompanive të lidhura me këto struktura, ndërsa kundërshtohet çdo aneks i ri që do të rrisë vlerën e kontratës me mbi 8 milionë euro.

VLEN pohon se vendimi për prishjen e kontratës është marrë pas një procesi të detajuar forenzik dhe në përputhje me standardet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), si dhe me mbështetjen e ekspertizës së USAID-it.

Sa i përket procedurës para DAB (Dispute Adjudication Board), VLEN e cilëson si një mekanizëm para-arbitrazhi dhe jo vendim përfundimtar juridik, duke theksuar se shteti ka ende të drejtë të ndjekë rrugët ligjore.

Ndërkohë, sipas tyre, tenderi i ri i është dhënë një konsorciumi ndërkombëtar me përvojë, duke premtuar progres konkret në realizimin e projektit.

VLEN akuzon BDI-në se gjatë qeverisjes së saj nuk ka realizuar projekte serioze infrastrukturore energjetike me Shqipërinë dhe Kosovën, duke i mbajtur ato të bllokuara për vite me radhë.

“BDI nuk ndërtoi – ajo përfitoi. Ndërsa VLEN ndërton dhe do të vazhdojë të ndërtojë”, thuhet në fund të reagimit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter