Pas dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin një president të ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje për presidentin.
Kryeministri Albin Kurti fajësoi opozitën për këtë situatë, duke theksuar se pakica parlamentare nuk do përgjegjësi, por kërkon vetëm bllokimin e punës së qeverisë.
Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, pra jo katër vjet dhe ja ku jemi në një seancë e cila bojkotohet nga opozita. Vetëm katër muaj pas zgjedhjeve duan sërish zgjedhje, ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet, por duan që këtë mos ta kemi as ne. Por këtë nuk e vendosin ata, po populli i Kosovës. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne, është e vështirë të gjendet diku tjetër një qeveri që ka kaluar në kriza të shumta, prej pandemisë COVID-19, pastaj te kriza e inflacionit dhe energjisë, pastaj edhe te sulmet e vazhdueshme të Serbisë dhe ka dalë fitimtare në të gjitha rrafshet dhe në fund ka marrë edhe mbështetje më të madhe popullore. Edhe kështu do të jetë. Por demokracia dhe institucionet nuk do vejnë vullnet të qytetarëve, nuk do vetëm mbështetje dhe politikanë për parti të caktuara, dhe këtu është sjellja antishtetërore e partive të caktuara, tha Kurti.
Ndërkohë pak para nisjes së seancës, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku deklaroi se nuk do të merrte pjesë në një show partiak që sipas tij nuk i shërben interesave të Republikës.
LDK e konsideron se ky show njëpartiak nuk i shërben republikës, dhe si të tillë ne nuk marrim pjesë në këtë show. Konsiderojmë se është kosto shumë e madhe për republikën që të luhet për një datë zgjedhjesh.Tani i kuptojmë këto përpjekje që dëshirojnë të krijojnë rast në Gjykatë Kushtetuese, konsiderojmë që është kosto shumë e madhe të luhet kaq shtrenjtë me fatin e Republikës për me dal në zgjedhje. Shteti nuk është hajgare, tha Abdixhiku para mediave.
Sipas tij, vendi po shkon drejt zgjedhjeve. PDK nga ana tjetër paralajmëron reagim të menjëhershëm nëse procesi do të vijonte, proces të cilin kryetari Bedri Hamza e cilësoi si anti-kushtetues.
Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, deklaroi Bedri Hamza
Më herët gjatë ditës, para zhvillimeve të fundit në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i bënë thirrje kandidates Feride Rushiti, e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, që të tërhiqet nga gara për presidente.
Në të njëjtën kohë, Lidhja Demokratike e Kosovës kishin hedhur si emër Vjosa Osmanin. Sipas kësaj force politike, ishin siguruar 15 firma mbështetëse, por për zyrtarizimin e kandidaturës nevojiteshin të paktën 30 deputetë.
Nga ana e tij, kryeministri Albin Kurti nuk u shpreh kundër një rikandidimi të Osmanit, por theksoi se një propozim i tillë nuk i ishte paraqitur ende zyrtarisht.
Edhe seanca e një dite më parë dështoi për mungesë kuorumi, pasi në sallë ishin vetëm 64 deputetë nga 80 të nevojshëm, për shkak të bojkotit të opozitës. Pavarësisht kësaj, u zhvillua votimi për kandidatët e propozuar nga Vetëvendosje, ku Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha asnjë.



