Gjuha shqipe “e barabartë”, por ende “20%” në Kushtetutë – dilema që s’e zgjidh retorika e Bujar Osmanit

featured
Press Online
28 Prill 2026, 11:13

Deklaratat e Bujar Osmani në emisionin Click Plus në TV21 e rikthejnë në fokus një debat të vjetër, por ende të pazgjidhur në thelb.

Ai u shpreh qartë: “Gjuha shqipe, me Kushtetutë, me Marrëveshje të Ohrit, dhe me ligjin e gjuhëve, është gjuhë e barabartë dhe zyrtare në Maqedoninë e Veriut”.

Duke e thelluar këtë qëndrim, Osmani shtoi: “Maqedonia e Veriut është shtet dygjuhësh dhe këtë ne duhet ta ruajmë si diçka më të rëndësishme”.

Megjithatë, pjesa më domethënëse e intervistës lidhet me çështjen e formulimit “20%” në Kushtetutë, për të cilën ai deklaroi:

“Çështja e termit 20% është çështje etikete, nuk ka të bëjë me përmbajtje. VMRO-DPMNE është e gatshme ta heqë etiketën ta vendos gjuhën shqipe përderisa si përmbajtje është gjuhë sekondare. Për ne është me rëndësi jo etiketa, është me rëndësi a është e barabartë a jo. Në 2001 kompromisi ashtu ka qenë që të kalon më kollaj te komuniteti maqedonas për shkak se ka qenë luftë, te etiketa është vendosur 20%, mirëpo te përmbajtja është bërë gjuhë e barabartë. Me ligjin e gjuhës edhe etiketa është hequr. Nëse e lexoni nenin e parë të ligjit të gjuhës thotë – gjuhën që e flasin më shumë se 20% e qytetarëve në kllapa gjuha shqipe – u kry muhabeti aty”.

Këto deklarata nxjerrin në pah thelbin e debatit: për Osmanin, problemi është terminologjik, ndërsa për kritikët, është substancial. Referenca ndaj Marrëveshja e Ohrit si kompromis historik është e kuptueshme, por mbetet pyetja pse një “etiketë e përkohshme” vazhdon të qëndrojë në Kushtetutë edhe pas më shumë se dy dekadash, shkruan PressOnline.al

Në këtë kontekst, roli i Bashkimi Demokratik për Integrim bëhet i pashmangshëm në analizë. Nëse, siç thotë Osmani, përmbajtja tashmë është e barabartë dhe madje “etiketa është hequr” me Ligji për përdorimin e gjuhëve, atëherë pse nuk është reflektuar kjo edhe në aktin më të lartë juridik të shtetit?

Kjo mospërputhje mes deklarimit politik dhe realitetit kushtetues është pikërisht arsyeja pse debati mbetet i hapur. Sepse në të drejtën kushtetuese, “etiketat” nuk janë thjesht fjalë – ato përcaktojnë statusin, hierarkinë dhe barazinë reale të një gjuhe brenda shtetit.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter