Norma e përgjithshme me dy doza të vaksinës kundër sëmundjeve të shkaktuara nga virusi i papilomës humane (HPV) në Maqedoni, në vitin 2025 ka qenë 51,5 përqind, që është dukshëm më poshtë se mesatarja e nevojshme prej 95 për qind, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në raportin e fundit për realizimin e programit të imunizimit të detyrueshëm të popullsisë, transmeton Portalb.mk.
Numri më i ulët i vajzave dhe djemve të vaksinuar është regjistruar në Ohër (9,9 përqind), ndërsa vaksinimi është realizuar 100 për qind në Berovë, Vinicë, Pehçevë, Makedonski Brod dhe Valandovë.
“Mbulesë më e ulët se mesatarja e përgjithshmeështë regjistruar në Tetovë/Gostivar, Bitolë, Shkup, Prilep dhe Kërçovë. Nga personat që duhej të vaksinoheshin në territorin e të gjithë republikës, nuk janë përfshirë gjithsej 8.224 persona, prej të cilëve 4.638 janë banorë të Shkupit”, thuhet në raport.
Megjithatë, mbulesa e regjistruar me vaksinën HPV (51,5 përqind) vitin e kaluar është më e lartë krahasuar me vitin 2024 (50,2%) dhe mbi mesataren pesëvjeçare (2020-2024) që ka qenë 47,5 për qind.
“Vitin e kaluar për herë të parë u realizua mbulesë e plotë e vaksinimit HPV te e gjithë popullsia e synuar, pas futjes së vaksinimit edhe për djemtë në vitin 2024. Përfshirja e djemve në program ka kontribuar në rritjen e numrit të fëmijëve të vaksinuar dhe të mbulesës së përgjithshme. Krahasuar me vitin 2024 dhe periudhën pesëvjeçare, vihet re një rritje e lehtë nga 50,2% në 2024 në 51,5% në 2025. Zgjerimi i vaksinimit HPV tek djemtë ka ndikim pozitiv, por mbulesa mbetet relativisht e ulët. Edhe pse ka përmirësim të moderuar, ekzistojnë dallime të mëdha gjeografike mes rajoneve, me mbulesë jashtëzakonisht të ulët në disa zona dhe përqendrim të lartë të personave të pavaksinuar në Shkup“, theksohet në raport.
Numri i grave që sëmuren nga kanceri i qafës së mitrës po rritet nga viti në vit. Në Klinikën e Onkologjisë, në vitin 2024 janë trajtuar 74 paciente, ndërsa vitin e kaluar numri ka qenë 122. Pacientet më të reja të diagnostikuara me këtë lloj kanceri në Maqedoni kanë vetëm 18 vjeç, ndërsa mosha mesatare e diagnostikimit është 55 vjeç. Ky fakt shqetësues u bë i ditur në ngjarjen e organizuar me rastin e Javës për ngritjen e vetëdijes për luftën kundër këtij lloj kanceri, nga Shoqata Mjekësore e Maqedonisë dhe Shoqata për Patologji Cervikale.
Profesori dr. Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë dhe i Shoqatës për Patologji Cervikale, theksoi se nga viti 2030 të gjitha vendet duhet të zbatojnë testin HPV si metodë skriningu për kancerin e qafës së mitrës.
Në raportin e ISHP ka të dhëna edhe për vaksinat e tjera. Mësohet se ka rënie të dukshme të mbulesës me vaksinën MRP (fruthi, rubeola, shytat), ku me dozën e parë në vitin e kaluar është regjistruar mbulesë prej vetëm 63 për qind, shumë më poshtë se niveli i rekomanduar prej 95 për qind në nivel kombëtar.
Me rastin e Javës Evropiane të Imunizimit, e cila përfundoi dje, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit në vend janë zhvilluar aktivitete për të theksuar rëndësinë e imunizimit.
“Në qendrat shëndetësore po mbahen ligjërata për rëndësinë e imunizimit dhe po vaksinohen në terren fëmijët që kanë humbur vaksinat. Aksioni do të vazhdojë edhe dy javët e ardhshme dhe do të imunizohen intensivisht të gjithë fëmijët me vaksina të humbura nga kalendari i rregullt. Kjo fushatë vë në pah përfitimet e vaksinimit gjatë gjithë jetës. Që nga mosha e hershme deri në moshë të avancuar, vaksinat ofrojnë mbrojtje nga shumë sëmundje serioze dhe kontribuojnë për shëndet më të mirë dhe mirëqenie gjatë gjithë jetës“, informoi Ministria e Shëndetësisë.
Java Evropiane e Imunizimit shënohet në 53 vende të Rajonit Evropian të OBSH-së në vitin 2007, për të rritur vetëdijen mbi rëndësinë që çdo fëmijë të mbrohet nga sëmundjet që mund të parandalohen me vaksina. Falë vaksinimit, janë shpëtuar miliona jetë, dhe në 50 vitet e fundit ajo ka kontribuar drejtpërdrejt në uljen e vdekshmërisë së foshnjave me 40 për qind në nivel global.



