Nisin ndryshimet ligjore për shfuqizimin e qeverisë teknike

featured
Press Online
22 Prill 2026, 14:30

Me 67 vota “për”, 13 “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë, duke e çuar në fazën kyçe të procesit parlamentar, informon PressOnline.al

Ndryshimet e propozuara synojnë shfuqizimin e modelit të deritanishëm të qeverisë teknike, i njohur edhe si qeveri kalimtare, i cili ishte vendosur si mekanizëm për menaxhimin e proceseve zgjedhore. Sipas Qeverisë, kjo zgjidhje e re ligjore do të sjellë stabilitet institucional më të madh, siguri juridike dhe mbrojtje më të mirë të interesit publik.

Zv/ministri i administratës publike, Llaze Jakimovski, theksoi se reformat në kornizën zgjedhore dhe forcimi i institucioneve e bëjnë të panevojshëm vazhdimin e modelit të qeverisë teknike. Sipas tij, eliminimi i marrëveshjeve ad-hoc politike do të rrisë efikasitetin dhe legjitimitetin e ekzekutivit.

Megjithatë, opozita nga LSDM kundërshtoi propozimin, duke kujtuar se qeveria teknike është rezultat i një marrëveshjeje të gjerë politike dhe ndërkombëtare. Deputeti Oliver Spasovski theksoi se ndryshimet nuk duhet të kalojnë me procedurë të shkurtuar dhe kërkoi debat më të gjerë parlamentar.

Nga VMRO-DPMNE u argumentua se modeli i qeverisë teknike është i tejkaluar dhe se vendi ka nevojë për funksionim të plotë institucional pa ndërhyrje politike të përkohshme. Deputeti Nikolla Micevski tha se propozimi është diskutuar më herët me partitë politike dhe se ka konsensus për ndryshime.

Ndërkohë, partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë nuk morën pjesë aktive në debat, ndërsa përfaqësues të Frontit Evropian theksuan se ndryshimi i një marrëveshjeje të tillë duhet të bëhet me konsensus dhe ndërmjetësim ndërkombëtar.

Sipas propozimit, modeli i qeverisë teknike do të vazhdojë të aplikohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa më pas parashikohet shfuqizimi i tij i plotë.

Ky hap konsiderohet si një nga ndryshimet më të rëndësishme në sistemin e organizimit të zgjedhjeve dhe funksionimit të Qeverisë në vitet e fundit.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter