Përfundimi i zgjedhjeve në Bullgari sjell shpresë për vendin tonë se në vendin fqinj do të formohet qeveri stabile, e cila do të kontribuonte në zhbllokimin e procesit eurointegrues, tha ministri i Jashtëm Mucunski, duke shtuar se të njëjtën gjë e pret edhe kryeministri Mickoski. Shefi i diplomacisë pret edhe lëvizje mes dy venE madhee në fushën ekonomike, me theks të veçantë në punimet e korridorit 8.
“Dëshirojmë që të zhvillohen marrëdhëniet bilaterale në një atmosferë pozitive. Të vëmë fokus të madh në prioritetet e përbashkëta strategjike, siç është korridori 8 ku deri më tani kemi disa lëvizje, por të lëvizim me një dinamikë më të fuqishme dhe përfundimisht të fillojmë procesin për gjetjen e zgjidhjes për procesin që na frenon si shtet t’i fillojmë bisedimet aderuese me Bashkimin Evropian.”, – deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Mucunski shpalosi edhe aktivitetet që do t’i ndërmarrë ekzekutivi, pasi që Sofja t’i formojë institucionet e dala nga zgjedhjet parlamentare.
“Ne menjëherë, pas fillimit të Qeverisë do të ndërmarrim veprime dhe masa adekuate për zhvillimin e dialogut dhe shpresojmë se mund të gjendet zgjidhje adekuate, e drejtë që vërteton dëshirën tonë për progres në rrugën eurointegruese, por duke marrë parasysh respektin për identitetin, gjuhën dhe historinë.”, – theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi ka shprehur momentin e nevojshëm me Bullgarinë për t’i shqyrtuar çështjet e hapura.
“E dini se Qeveria aktuale ka përkushtim të qartë se rruga evropiane është pjesë e agjendës sonë dhe është prioritet, por dilemat që i kemi duhet t’i zgjidhim së bashku me Qeverinë në Sofje. Unë shpresoj dhe pres që sa më shpejt të formohet Qeveria, të biem në komunikim. Kështu të kapim trenin me hapjen e kapitujve dhe të jemi pjesë e rrethit të parë të zgjerimit.”, – theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifing me gazetarë.



