Tirana mirëpret për herë të katërt, Samitin e Diasporës. Ky takim i nivelit të lartë do të mbledhë në kryeqytet figura të rëndësishme të politikës, ekonomisë, artit dhe jo vetëm, me synim për të forcuar lidhjen e shqiptarëve nëpër botë.
Tematika e këtij viti do të jetë “Diaspora rikthehet në shtëpi!”, teksa punimet e samitit do të nisin në orën 18:00.
Do të jenë gjithsej 17 panele, 8 prej tyre më 14 prill dhe 9 më 15 prill, ku do të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin, bashkëpunimin dhe rolin e diasporës shqiptare në rajon dhe më gjerë.
Ky samit u përshëndet edhe nga eurodeputeti suedez me origjinë shqiptare Adnan Dibrani, i cili përmes një videomesazhi tregoi se nuk e ka fshehur kurrë origjinën e tij.
“Gjatë gjithë kohës si politikan, edhe në Stockholm, por edhe në Parlamentin Europian, kurrë rrënjët e mia nuk i harroj. I lindur në Mitrovicë, i rritur në Suedi, mburrem që jam shqiptar, edhe të gjithë e dinë që jam shqiptar”, tha Dibrani.
Në fund të samitit pritet të nënshkruhet marrëveshja mes Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Agjencisë Kombëtare të Rinisë.



