Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, tha se është mjaft i nevojshëm ndryshimi i sistemit zgjedhor për t’i dhënë më shumë pushtet qytetarit.
I ftuar në “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus, Dashamir Shehi tha se ky sistem zgjedhor u shërben vetëm dy personave.
I pyetur nga moderatorja Borakaj se çfarë mendon për uljen e numrit të deputetëve, Shehi tha se kjo është e nevojshme, pasi është ulur numri i popullsisë.
Pjesë nga biseda:
Shehi: Unë jam për ndryshimin e sistemit. Ky sistem mos jetë më, këtë e kanë në dorë vetëm dy vetë. A e rregullon Kodi i Ri Zgjedhor çështjen e kriminelëve që blejnë vota, e biznesmenëve që paguajnë partitë? Jo. Por ky është elementi i parë, nga kjo fillohet. Edhe këtu ka një rol opozita. A do të jemi të zotë t’i heqim influencat nga zgjedhjet, pushtetin, patronazhistët? Ky është një proces edhe më i gjatë. A do jemi të zotë të bllokojmë një pjesë të botës së krimit? Kjo është temë tjetër. Këtu mund të luajë rol SPAK.
Borakaj: Propozimi i Ramës për 100–101 deputetë.
Shehi: Nuk jam kundër.
Borakaj: I dëmton forcat e reja?
Shehi: Jo. Në një vend si Shqipëria, kur u nisëm për Evropën ishim 3.3 milionë, sot jemi 2.3 milionë. Puna është a do t’i japim mundësi qytetarëve të bëjnë zgjedhjet e veta, apo do t’i caktojnë kryetarët si në vitin 2008.



