Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi se objektivi kryesor i qeverisë mbetet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se ky është “zemreku i punës” së institucioneve shtetërore.
Gjatë një takimi me gazetarët, Hoxha u shpreh se Shqipëria po kalon një proces transformimi përmes reformave të lidhura me integrimin europian, ndërsa theksoi se rezultatet e këtij procesi maten pikërisht me përparimin drejt BE-së.
“Jemi mësuar të flasim gjithmonë për integrimin europian, por termi i saktë është anëtarësimi në BE. Kjo është rruga për të cilën jemi angazhuar. Kjo ministri, ministritë e tjera, qeveria dhe i tërë aparati ekzekutiv ka vetëm këtë moto: Çfarë po bëjmë për procesin e anëtarësimit në BE.
Anëtarësimi në BE është zemreku i punës sonë, është treguesi i rezultateve tona. Vetëm kështu i masim tani rezultatet tona.
Javët e fundit kemi parë deklarata, hamendësime pafund, një tymnajë të çuditshme që është ushqyer nga një diskurs i brendshëm. Ajo që është fakt është se Shqipëria ka bërë një përparim të dukshëm dhe që janë përmbajtja e procesit negociues.
Është një proces transformimi që ndodh në vend. Takimet bëhen në Bruksel, por reformat dhe rezultatet bëhen dhe mbesin këtu.
Integrimi nuk është vetëm proces teknik, raportesh, emailesh, pyetje, përgjigje, por një transformim që ndodh në një vend. Vendimi merret në Bruksel, impakti është këtu. Në këtë proces, nuk është përjashtuar askush.
Ne kemi dëshirë të bëjmë çdo qytetar të këtij vendi bashkëkontribues në këtë proces. Dhe gjithkush, pavarësisht ku është i vendosur, ka diçka për të bërë në këtë rrugë të pakthyeshme.
Unë do mundohem të shkoj në çdo cep të këtij vendi.
E kam merak të veçantë rininë edhe si prind. Do doja që ata ta shohin BE si realitet, jo si ëndërr. Ta jetojnë.,” tha ministri.
Hoxha, deklaroi se forcimi i lidhjeve me diasporën mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë.
Ai bëri të ditur se brenda tre deri në katër ditëve do të zhvillohet Samiti i Diasporës, ku do të trajtohen një sërë çështjesh që prekin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Qëllimi ynë është i qartë, të nisim investimet si dhe të krijojmë politika gjithëpërfshirëse, duke marrë bashkatdhetarët tanë që të ulemi dhe të bisedojmë se si do e bëjmë më mirë. Qëllimi ynë është që të forcojmë lidhjet me diasporën. Duam një diasporë dhe të mirë integruar për atje ku kanë zgjedhur që të jetojnë. Të mundohemi që edhe integrimit europian, t’i japim bashkëpunimin me ata që e duan Shqipërinë në BE. Sjellin Europën në Shqipëri. Samiti përfshin 18 panele. Një element i pranishëm është e drejta e votës dhe përfshira sa më e integruar e diasporës në jetën politike dhe në vendimmarrje. Thelbi i samitit është që të kalojmë nga fjalët te veprat.“, tha ministri.
/vizionplus.tv



