Ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, theksoi se Irani nuk do ta luajë Kupën e Botës në SHBA. Ndërkaq, Italia është kombëtarja me koeficientin më të lartë nga të përjashtuarat.
Ripeshkim? Vështirë të ripeshkohet një skuadër europiane dhe nuk e uroj këtë gjë, u shpreh ministri i sportit në Itali, Abodi, lidhur me mundësitë që vendi të shkojë në Botërorin e verës.
Më shumë, tema nxitet nga fjalët e ministrit Donyamali. Për agjencinë turke “Anadolu”, ai u shpreh i vendosur për faktin që Irani të mos i luajë ndeshjet e Kupës së Botës në SHBA, sipas kalendarit të përcaktuar, por në Meksikë.
Kërkesa për spostimin e ndeshjeve tona në Meksikë është në fuqi. Ende nuk kemi marrë përgjigje. Do ta mbajmë skuadrën gati për Kupën e Botës, vendimi përfundimtar i takon qeverisë sonë. Deklaratat e Trump-it janë shumë kontradiktore dhe inkoherente. Sipas normativës së FIFA-s, siguria duhet të garantohet nga vendi organizator.
Botërori nis së shpejti dhe kjo garanci mungon. Në këto rrethana, mundësia që Irani të marrë pjesë në Kupën e Botës në SHBA, është shumë e vogël.
Nëse vjen garancia e nevojshme për sigurinë, qeveria jonë do të vendosë për pjesëmarrjen ose jo të Iranit në Botëror.
Pas sinjaleve të Iranit për bojkot të Kupës së Botës, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi:
Irani është i mirëpritur në Botëror, por nuk besoj se është e përshtatshme të marrë pjesë, për sigurinë e tyre dhe jetën.
Prej kohësh, federata iraniane i ka kërkuar FIFA-s një ndryshim të kalendarit, spostimin e ndeshjeve në Meksikë, por nuk ka pasur ndonjë reagim pozitiv në këtë drejtim, mbi të gjitha për çështje organizative e logjistike. Duke parë zgjidhjen ende larg konfliktit, hipoteza e mungesës së Iranit bëhet gjithmonë e më konkrete.
Çfarë ndodh në këtë rast?
Rregullorja nuk është shumë e qartë e gjithçka është e mundur, edhe ripeshkimi i Italisë. Kombëtarja “axurre” duket në “pole position” për të zëvendësuar Iranin në rast mungese, pasi ka koeficientin më të lartë mes skuadrave të mbetura jashtë.
Tërheqja e Iranit është opsion konkret në tavolinën e FIFA-s dhe natyra e hapur e pikës 6.7 të rregullores, lë hapësirë për zgjidhje të ndryshme, edhe ripeshkimin e Italisë.



