Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2025 hedh dritë mbi situatën alarmante në burgjet e Maqedonisë së Veriut. Sipas raportit, të burgosurit qëndrojnë në hapësira pa dritë natyrale, pa higjienë të duhur dhe pa ajër të pastër, ndërsa mbipopullimi mbetet një problem kronik.
“Përmbajtja e parashtresave tregon se problemi më i madh në këto institucione janë kushtet e papërshtatshme të akomodimit, mbipopullimi, kushtet johigjienike, mungesa e dritës natyrore dhe ajrit të pastër, si dhe mungesa e pajisjeve, probleme që vazhdojnë të jenë të pranishme për një periudhë të gjatë kohore”, thekson raporti, përcjell PressOnline.al
Situata e mbipopullimit është dramatike. Në Burgun e Idrizovës, numri i të burgosurve në 2025 është dyfishuar krahasuar me vitin 2024: për 1.187 vende të lejuara janë evidentuar 1.402 të burgosur. Në Shtip, 255 persona qëndrojnë për 139 vende të parashikuara, ndërsa në Shutkë, Prilep dhe Manastir kapacitetet janë tejkaluar nga 22 deri në 79 të burgosur.
Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve deklarojnë se çdo të burgosuri i sigurohet shtrat dhe hapësirë individuale, por theksojnë se plotësimi i standardeve të plota kërkon ndërtimin e objekteve të reja dhe përdorimin më të madh të masave alternative. Për higjienën, përgjegjës janë vetë të burgosurit, ndërsa institucionet sigurojnë mjete bazike për mirëmbajtje.
Në vijim, raporti nxjerr në pah dështimet serioze të kujdesit shëndetësor në burgje. Mungon stafi mjekësor, barnat dhe pajisjet, duke detyruar të burgosurit që të sigurojnë vetë terapinë ose të mbeten pa trajtim. Situata është më shqetësuese për personat me sëmundje kronike, probleme të shëndetit mendor ose varësi.
Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve thotë se kujdesi shëndetësor nuk është kompetencë e tyre, por i Ministrisë së Shëndetësisë.
Situata në burgjet e Maqedonisë së Veriut duket se kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të burgosurve.


