Prokurorja Lençe Ristoska mbetet pa autorizimin për lëndën “Talir”. Kjo vjen pas vendimit të Prokurorit të Shtetit Nenad Saveski për të tërhequr autorizimet që paraardhësit e tij u kishin dhënë disa prokurorëve për të punuar në lëndë nga prokurori të tjera.
Prokurorët nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), pas kthimit në prokuroritë amë, vazhduan të punojnë në të njëjtat lëndë me autorizim nga Prokurori i Shtetit. Ristoska, me autorizim, ka udhëhequr dy rastet “Talir” që lidhen me selinë e VMRO-DPMNE dhe financimin e partisë.
Saveski, gjatë një takimi informues me gazetarët, theksoi se ky veprim nuk lidhet personalisht me Ristoskën dhe nuk ka prapavijë politike, por synon vendosjen e rendit dhe evidencës. Partia VMRO-DPMNE është e përfshirë në rastet “Talir”, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar që Ristoska të mos jetë prokurore në këto procese.
“Vendimin e mora sot dhe ende nuk është nënshkruar. Kjo nuk vlen vetëm për Lençe Ristoskën. Ka shumë autorizime dhe nuk e di numrin e saktë. Kemi edhe shembuj si një drejtues prokurorie në Gostivar që vepron në një lëndë të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion. Duhet të kemi një pasqyrë të qartë. Vendimet e mia nuk janë politike”, deklaroi Saveski, përcjell PressOnline.al
Ai paralajmëroi se do të bëjë përjashtime për prokuroritë në Resnjë dhe Kriva Pallankë, të cilat nuk kanë prokurorë, si dhe për rastin e madh për Koçanin që po gjykohet në Idrizovë, ku janë të angazhuar 15 prokurorë për shkak të kompleksitetit dhe volumit të madh të provave.
Prokurorja Ivana Trajçeva, e cila nuk mori mandat të ri në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar, nuk do të marrë autorizim për të vazhduar me rastet e Koçanit që lidhen me policinë. Saveski vlerësoi se ajo është një prokurore e shkëlqyer, por shtoi se lëndët nuk duhet të lidhen me individë të caktuar.
“Duhet t’u jepet hapësirë edhe prokurorëve të tjerë. Dua që të gjithë të ndihen të vlerësuar. Nuk favorizoj askënd. Pajtohem se për prokurorët e rinj mund të jetë më e vështirë të përfshihen, por funksioni i prokurorit publik nuk është i lehtë”, shtoi ai, përcjell PressOn,line.al
Prokurori i ri i Shtetit iu përgjigj edhe avokatëve në rastin e zjarrit në diskotekën “Puls”, të cilët kërkuan rishqyrtimin e aktakuzës, duke theksuar se një iniciativë e tillë nuk mund të jetë bazë që Prokuroria të rivlerësojë aktakuzën pa ndryshim të gjendjes faktike ose paraqitje të provave të reja.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit, Saveski votoi se kryeministri Hristijan Mickoski nuk e ka cenuar pavarësinë e prokurores Lençe Ristoska, duke shtuar se argumentet e komisionit ishin të pranueshme për të dhe se, sipas tij, prokurorët e mbajnë integritetin brenda vetes dhe askush nuk mund t’ua marrë atë.(PressOnline.al)



