Anketa më e fundit e Market Vision, e realizuar përmes intervistave telefonike në periudhën 2–18 mars mbi një mostër përfaqësuese prej 1.200 qytetarësh, tregon se VMRO-DPMNE dhe kryeministri Hristijan Mickoski ruajnë një epërsi të qëndrueshme ndaj rivalëve politikë. Megjithatë, anketa evidenton luhatje të dukshme te partitë dhe liderët e tjerë, veçanërisht brenda bllokut politik shqiptar, shkruan PressOnline.al
Sipas të dhënave, Mickoski gëzon mbështetje prej 25,2 për qind, duke u renditur bindshëm i pari. Pas tij vjen lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti me 5,6 për qind, i ndjekur nga kreu i “Levicës”, Dimitar Apasiev me 4,2 për qind. Një nga figurat kryesore të koalicionit VLEN dhe njëherazi kryetar i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, renditet me 3,9 për qind, ndërsa lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), Venko Filipce, mban vendin e pestë me 3,6 për qind.
Në listë përfshihen edhe lideri i ZNAM, Maksim Dimitrievski me 3 për qind, si dhe dy përfaqësues të tjerë të VLEN-it – Bilall Kasami me 2 për qind dhe Bekim Sali me 0,4 për qind. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve – 41,3 për qind – deklarojnë se nuk kanë besim te asnjë politikan, ndërsa rreth 10 për qind janë të pavendosur ose kanë refuzuar të përgjigjen, informon PressOnline.al
Sa i përket rejtingut partiak, 24 për qind e të anketuarve janë shprehur se do të votonin për VMRO-DPMNE në zgjedhjet e ardhshme, çka nënkupton se rejtingu personal i Mickoskit është mbi një pikë përqindje më i lartë se ai i partisë. Pas saj renditet VLEN me 5,1 për qind, LSDM me 4,9 për qind dhe BDI me 4,8 për qind. Lista vijon me Levica (3,1 për qind) dhe ZNAM (2,1 për qind).
Të dhënat tregojnë se Ahmeti mban vendin e dytë për nga besimi personal, megjithatë partia e tij BDI renditet e katërta, pas rivalit të drejtpërdrejtë VLEN. Njëkohësisht, vërehet se Apasiev dhe Dimitrievski kanë rejting personal më të lartë sesa partitë që drejtojnë, ndërsa te LSDM ndodh e kundërta – partia ka mbështetje më të madhe se lideri i saj.
Nëse krahasojmë këtë anketë me atë të shtatorit 2025, evidenton ndryshime të dukshme në perceptimin publik për liderët politikë. Ndërsa rejtingu i Mickoskit mbetet pothuajse i pandryshuar (25,2 për qind kundrejt 25,3 për qind), kundërshtarët kryesorë shënojnë rënie.
Kështu, mbështetja për Ahmetin ka rënë nga 6,3 në 5,6 për qind, ndërsa ajo për Filipçen nga 4,8 në 3,6 për qind. Në anën tjetër, rritje shënojnë Apasiev (nga 3,2 në 4,2 për qind) dhe Dimitrievski (nga 2,2 në 3 për qind), ndërsa rritjen më të theksuar e regjistron Mexhiti – nga 2,1 në 3,9 për qind. Edhe Kasami ka një rritje të lehtë, nga 1,8 në 2 për qind.
Ndërkohë, disa figura politike nuk shfaqen më në anketën e fundit. Mes tyre është kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, i cili në anketat e mëparshme kishte rreth 1 për qind mbështetje. Në të kundërt, në sondazhe ka filluar të shfaqet Bekim Sali, i cili së fundmi ka marrë drejtimin e partisë Alternativa.
Po ashtu, nga sondazhet mungon plotësisht edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai në zgjedhjet parlamentare ishte pjesë e VLEN-it, por më pas u largua nga koalicioni dhe nga qeveria, duke garuar në zgjedhjet lokale në bashkëpunim me BDI-në. Sipas të dhënave të anketave, kjo lëvizje duket se nuk ka prodhuar rezultat pozitiv, pasi nga mbi 3 për qind mbështetje më herët, ai tashmë nuk figuron në listat e fundit.
Në periudhën nga shtatori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, trendet reflektohen edhe në rejtingun e partive. Koalicioni i udhëhequr nga BDI kishte 7,9 për qind, ndërsa tani vetë BDI ka 4,8 për qind. Në të njëjtën kohë, VLEN ka shënuar rritje nga 4,6 në 5,1 për qind.(PressOnline.al)


