Shqipëria është renditur si destinacioni më ekonomik dhe tërheqës për turistët britanikë këtë sezon dimëror, duke lënë pas konkurrentët tradicionalë si Turqinë dhe vetë Britaninë e Madhe, raporton “Travel and Tour World”, përcjell INA.
Sipas të dhënave të fundit, vendi ballkanik po përjeton një rritje eksplozive të popullaritetit, duke u shndërruar nga një udhëkryq historik i izoluar në një magnet për turizmin ndërkombëtar. Shifrat zyrtare tregojnë se në vitin 2024 Shqipëria mirëpriti 11.7 milionë vizitorë, një rritje masive krahasuar me 6.2 milionë që regjistroheshin në vitin 2019.
Ekspertët e udhëtimeve vënë në dukje se raporti i shkëlqyer midis kostos dhe cilësisë është faktori kryesor i këtij suksesi. Në qytete si Berati, pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, një vakt tradicional i plotë mund të kushtojë mesatarisht vetëm 9 paund, një çmim ky i paarritshëm në shumicën e metropoleve evropiane.
Përveç kostos së ulët, Shqipëria po tërheq vizitorët me diversitetin e saj gjeografik dhe kulturor. Nga arkitektura otomane e Gjirokastrës dhe kalldrëmet e Krujës, deri te kryeqyteti dinamik, Tirana, turistët britanikë po gjejnë një alternativë autentike ndaj destinacioneve të mbingarkuara mesdhetare.
Qeveria shqiptare dhe investitorët privatë po synojnë tashmë segmentin e lartë të tregut përmes projekteve transformuese, siç është shndërrimi i ishullit ushtarak të Sazanit në një resort luksoz me pesë yje. Ky hap shihet si pjesë e një strategjie afatgjatë për të integruar turizmin e qëndrueshëm me trashëgiminë natyrore të paprekur, siç është zona bregdetare e Tales në Lezhë.
Me një kombinim të mikpritjes tradicionale, historisë së pasur dhe çmimeve konkurruese, Shqipëria po pozicionohet fuqishëm si “perla e re” e Evropës, duke ofruar një arratisje dimërore pa stresin e kostove të larta. (INA)



