Në ditën e mësuesit 7 Marsi, u vu gurthemeli për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Nënë Tereza në Shkup. Kampusi i ri do të krijojë kushte më të mira që studentët dhe profesorët të zhvillojnë potencialin e tyre, theksoi me këtë rast rektori i këtij Universiteti, Bekim Fetaji.
“Ky moment përfaqëson shumë më tepër së fillimin e një ndërtimi të ri, ai simbolizon vizionin tonë për një universitet modern, të hapur, dhe të përkushtuar ndaj dijes, inovacionit dhe humanizmit. Kampusi i ri i UNT-së do të krijojë kushte më të mira për studim, hulumtim dhe bashkëpunim akademik. Ai do të jetë një hapësirë ku studentët dhe profesorët do të kenë mundësi të zhvillojnë potencialin e tyre.”, u shpreh rektori u Universiteit “Nënë Tereza”- Shkup, Bekim Fetaji.
Ky kampus universitar e shndërron Shkupin dhe Çairin në një qendër të rëndësishme universitare theksoi kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti.
“Sot po vendosim themelet e një kapitulli të ri për arsimin shqip dhe të ardhmen akademike të shqiptarëve. Me një vlerë prej 42 milion eurosh ky projekt është investimi më i madh në arsimin Shqip në Maqedoninë e Veriut dhe ndër investimet më të mëdha në Rajon.”, u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, përcjell PressOnline.al
Sipas ministres së arsimit Vesna Janevska, me këtë investim kuadri arsimor shkencor do ti ketë të gjitha kushtet e nevojshme për krijimtari shkencore dhe arsim efikas, ndërsa studentët për zhvillimin e potencialit të tyre personal, njerëzor dhe akademik.
“Duke punuar me përkushtim dhe përgjegjësi, me vizion dhe plan për përmirësimin e kualitetit në sistemin arsimor në tërësi dhe me theks të veçantë te arsimi i lartë sot vijmë te një moment i veçantë dhe i rëndësishëm, fillojmë realizimin e projektit kapital për përshpejtimin e zhvillimit të universitetit më të ri shtetërorë në Maqedoni Nënë Tereza.”, u shpreh Minsitrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Zëvendës kryeministri i parë Bekim Sali tha se ky kampus universitar do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së arsimit dhe në përgatitjen e studentëve për sfidat e tregut të punës dhe jetës.
“Ky kampus universitar përfaqëson një hap të madh drejtë forcimit të arsimit të lartë. Me të po krijohet një institucion modern arsimor e shkencor që do tu shërbejë studentëve dhe profesorëve dhe do të kontribuojë në zhvillimin akademik dhe shoqëror të vendit tonë.”, u shpreh zëvendës kryeministri i parë Bekim Sali.
Kampusi i ri universitar i cili do të ndërtohet në hapësirë prej 31 mijë metrash katrorë, do të ketë objekte moderne, amfiteatro, hapësirë studentore, salla sportive, pishinë dhe infrastrukturë që do ti përgjigjet arsimit të lartë bashkëkohorë theksoi kryeministri Mickoski.
“Me fillimin e ndërtimit të kampusit të ri modern të Universitetit Nënë Tereza në Shkup e konfirmojmë përcaktimin tonë të fuqishëm të investojmë në dije, tek të rinjët dhe në zhvillimin e arsimit të lartë. Ky projekt paraqet investim strategjik në ardhmërinë e shtetit, investim që do të krijojë kushte moderne për arsim, punë shkencore dhe zhvillim akademik.”, u shpreh kryeministri Hristian Mickoski.
Projekti për kampusin universitarë të Universitetit Nënë Tereza në Shkup, kap shumën prej 42 milion eurosh, ndërsa është paraparë të ndërtohet brenda 5 vitesh përkatësisht deri në vitin 2030.



