Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka njoftuar se një grup fëmijësh nga Biblioteka “Linkest” në Manastir kanë zhvilluar një vizitë të veçantë në Kryeministrinë e Shqipërisë, ku u pritën nga kryeministri Edi Rama, njofon INA.
Sipas Meidanit, fëmijët u shoqëruan në këtë vizitë së bashku me zëvendësministren Meggi Premti, ndërsa takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe simbolike për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
Ambasadori theksoi se bëhet fjalë për fëmijë që, edhe pse jetojnë jashtë Shqipërisë, mbajnë gjallë gjuhën shqipe dhe dashurinë për librin dhe kulturën shqiptare.
“Çdo fjalë e mësuar dhe çdo libër i lexuar në shqip është një urë që lidh brezat dhe një dëshmi se bijtë e shqipes, kudo që janë, e mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën e tyre”, ka shkruar Meidani.
Ai shtoi se aty ku ruhet gjuha shqipe, ruhet edhe shpirti i kombit, duke vlerësuar përkushtimin e fëmijëve dhe të institucioneve që kontribuojnë në ruajtjen e identitetit shqiptar jashtë kufijve.



