Pasivizimi i adresave në komunat e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës ka sjellë shqetësim të madh për komunitetin shqiptar, por çështja tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka nisur shqyrtimin e këtij fenomeni, duke shënuar një hap të rëndësishëm dhe precedent për mijëra persona të tjerë të prekur.
Muharrem Salihu, afarist dhe veprimtar i njohur nga Medvegja, tashmë aktiv në skenën politike dhe biznesin italian, thekson rëndësinë e bashkimit të shqiptarëve: “Ky është momenti për të vepruar së bashku, jo vetëm për të ndaluar pasivizimin e adresave, por edhe për të rikthyer të drejtat tona të ligjshme. Ne jemi në trojet tona dhe nuk mund të lejojmë të na nëpërkëmbin dhe të na poshtërojnë.”
Sipas Salihut, mundësitë për avancim të çështjes janë të shumta: rezoluta në Kongresin Amerikan, raportet e Bashkimit Evropian dhe një rezolutë e pritshme në Parlamentin Italian ofrojnë një mundësi të artë për komunitetin shqiptar të këtyre trevave.
Ky lajm vjen pas padisë së Teuta Fazliut, duke krijuar një precedent të rëndësishëm ligjor dhe politik për rikthimin e të drejtave të komunitetit shqiptar në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.(INA)



