Një anije luftarake iraniane është fundosur në brigjet e Sri Lankaës ditën e sotme, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se rreth 140 persona rezultojnë të zhdukur.
Sipas njoftimit zyrtar, anija “IRIS Dena” dërgoi sinjal emergjence të mërkurën (4 mars). Marina e Sri Lankës konfirmoi se ka arritur të shpëtojë 32 persona, pasi mori thirrjen për ndihmë nga anija luftarake iraniane.
Zëdhënësi i Marinës së Sri Lankës, Buntika Sabath, deklaroi se edhe pse anija ndodhej jashtë ujërave territoriale të vendit, ajo ishte brenda zonës së kërkim-shpëtimit, çka e detyronte shtetin të reagonte në përputhje me detyrimet ndërkombëtare.
“Gjetëm persona që po qëndronin mbi ujë dhe i shpëtuam. Më pas, pas verifikimeve, mësuam se ata ishin pjesë e ekuipazhit të një anijeje iraniane”, tha ai.
Sipas dokumenteve të anijes, në bord besohet se ndodheshin rreth 180 persona, megjithatë numri i saktë i të zhdukurve ende nuk është konfirmuar. Gjatë nisjes së operacionit të kërkim-shpëtimit, ekipet nuk arritën të lokalizonin anijen, por konstatuan njolla nafte në sipërfaqen e detit si dhe disa mjete shpëtimi lundruese.
Autoritetet e Sri Lankës kanë hedhur poshtë raportimet për një sulm të mundshëm nga nëndetëse, duke theksuar se shkaku i fundosjes mbetet i panjohur.
Më herët, sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes deklaroi për BBC se rreth 140 persona dyshohet se janë të zhdukur. Deri tani, ushtria e Sri Lankës nuk ka arritur të përcaktojë arsyen që çoi në fundosjen e anijes.



