Zgjidhja për të mposhtur verbërinë te njeriu: Kërmilli i ujërave të ëmbla!

featured
0
Shpërndaje

Ndani këtë postim

ose kopjoni lidhjen

Zgjidhja për të mposhtur verbërinë njerëzore mund të fshihet tek një kërmill i ujërave të ëmbla që është në gjendje të rigjenerojë syrin brenda vetëm 30 ditësh.

Bëhet fjalë për Pomacea canaliculata, i njohur si “kërmilli i mollës së artë”, një specie që po tërheq vëmendjen e komunitetit shkencor për aftësinë e jashtëzakonshme rigjeneruese.

Ky kërmill mund të rigjenerojë plotësisht syrin pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke rindërtuar thjerrëzën, retinën dhe nervin optik brenda rreth një muaji.

Studiuesit e kanë përqendruar vëmendjen te kjo specie sepse syri i saj i tipit “kamera” ndan tipare thelbësore strukturore me syrin e njeriut, duke e bërë atë një model të rrallë për të studiuar se si një sistem kompleks shikimi mund të rindërtohet nga e para.

Studimi është publikuar në revistën shkencore “Nature Communications”, ku biologia e “Universitetit të Kalifornisë”, Davis, Alice Accorsi, së bashku me ekipin e saj, kombinuan diseksione dhe analiza gjenomike për të hetuar mekanizmat që fshihen pas këtij fenomeni.

Sipas tyre, shumë nga gjenet që kontrollojnë zhvillimin e syrit tek njerëzit janë gjithashtu të pranishme dhe aktive tek ky kërmill.

Pas rigjenerimit, struktura e syrit të ri dhe profili i shprehjes gjenike përputhen ngushtë me ato të syrit origjinal.

Një proces i programuar me saktësi biologjike

Rigjenerimi i syrit tek Pomacea canaliculata ndjek një kalendar të qartë biologjik. Brenda 24 orëve të para ndodh mbyllja e plagës. Më pas, qeliza të paspecializuara migrojnë në zonën e dëmtuar, shumohen dhe fillojnë të diferencohen në struktura specifike.

Brenda rreth një jave e gjysmë formohen pjesë kyçe si thjerrëza dhe retina.

Deri në ditën e 15-të, strukturat kryesore, përfshirë nervin optik, tashmë janë të pranishme.

Javët në vijim shërbejnë për rritjen dhe maturimin e plotë të syrit, derisa të arrijë funksionalitetin normal.

Në nivel molekular, procesi shoqërohet me ndryshime të thella. Menjëherë pas amputimit, rreth 9 mijë gjene ndryshojnë aktivitetin e tyre krahasuar me sytë normalë të rritur.

Edhe pas 28 ditësh, 1 mijë e 175 gjene vazhdojnë të shfaqin aktivitet të ndryshuar, çka sugjeron se megjithëse syri duket i “përfunduar” nga jashtë, programi i brendshëm gjenetik vazhdon të stabilizohet.

Roli kyç i gjenit pax6

Për të kuptuar më mirë rolin e gjeneve specifike, ekipi përdori teknologjinë e modifikimit gjenetik CRISPR-Cas9 për të targetuar gjenin pax6, një rregullator kryesor i zhvillimit të syrit dhe trurit tek shumë specie.

Rezultatet treguan se embrionet me dy kopje jofunksionale të këtij gjeni zhvilloheshin pa sy, duke konfirmuar rolin e tij themelor në formimin e sistemit të shikimit.

Ky zbulim forcon idenë se ekziston një “arsenal” i lashtë gjenetik, i përbashkët mes shumë organizmave, që mund të riaktivizohet për të nxitur rigjenerimin.

Çfarë do të thotë kjo për njerëzit?

Syri i njeriut është një organ jashtëzakonisht kompleks, i përbërë nga struktura të specializuara që bashkëpunojnë për të kapur dritën dhe për ta shndërruar atë në sinjale nervore që truri i interpreton si imazhe. Dëmtimet serioze zakonisht nuk rigjenerohen plotësisht tek njerëzit.

Megjithatë, fakti që një organizëm me sy të tipit “kamera” mund të rindërtojë të gjithë strukturën e tij sugjeron se në vend që të riparohen dëmtimet pjesë-pjesë, e ardhmja e trajtimit të verbërisë mund të qëndrojë tek riaktivizimi i programeve gjenetike që udhëheqin zhvillimin dhe rigjenerimin e syrit.

Studiuesit theksojnë se rruga drejt aplikimeve klinike ende është e gjatë. Por, harta e detajuar e mekanizmave gjenetikë e qelizorë në një model biologjik të fortë si Pomacea canaliculata, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt të kuptuarit  se si shikimi mund të rikthehet një ditë te njerëzit.

Zgjidhja për të mposhtur verbërinë te njeriu: Kërmilli i ujërave të ëmbla!
+ - 0

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter