Aktori britanik Stephen Graham ka kritikuar ashpër kolegët e tij për zakonin e vonesës në sheshxhirim, duke e cilësuar atë si mungesë të madhe respekti ndaj ekipit.
Graham, i cili ka fituar vlerësime të shumta për rolet e tij në film dhe televizion, u shpreh gjatë një paneli të SAG-AFTRA në Los Angeles se vonesa është një nga sjelljet më të papranueshme në industrinë e filmit.
Ka shumë aktorë që nuk shfaqen në kohë, kjo është mungesë respekti. Të lësh një ekip xhirimi që ishte në shesh para teje dhe do të qëndrojë pas teje, të presë sepse je ndonjë yll i madh dhe ‘pulë e artë’, është e neveritshme dhe e padrejtë
-tha ai.
Sipas tij, respekti për punën kolektive është thelbësor, pasi prapa çdo produksioni qëndron një ekip i madh profesionistësh që punojnë me orë të gjata.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Liam Neeson, i cili në një intervistë për Rolling Stone foli për problemet e vonesave në sheshxhirim.
Dëgjoj histori shqetësuese për aktorë shumë të talentuar që vonohen dy, tre, madje katër orë. Unë kurrë nuk do të punoja me njerëz të tillë. Është jashtëzakonisht fyese
-u shpreh Neeson.
Ai theksoi se kjo bëhet edhe më problematike kur në xhirime janë të angazhuar ekipe prej 70 deri në 80 personash, duke shtuar:
Më e pakta që mund të bësh është t’u tregosh respekt duke qenë në kohë.
Deklaratat e tyre kanë hapur debat në rrjet mbi profesionalizmin dhe etikën në industrinë e filmit.



