Në një kohë kur rrallëkush arrin të jetojë më shumë se një shekull, një histori e rrallë vjen nga Kosova. Haxhi Sylejman Breznica, 104-vjeçar nga fshati Surqinë i Ferizaj, vazhdon të jetë dëshmi e gjallë e besimit dhe përkushtimit shpirtëror, pasi gjatë jetës së tij ka agjëruar plot 94 muaj të shenjtë të Ramazanit.
Historia e tij u bë publike nga platforma Jepi zë, duke tërhequr vëmendjen për rrugëtimin e jashtëzakonshëm të një njeriu që për dekada të tëra ka ruajtur disiplinën dhe përkushtimin ndaj fesë.
Sipas rrëfimeve, Breznica ka agjëruar pothuajse gjatë gjithë jetës së tij të rritur, duke e kthyer Ramazanin në një pjesë të pandashme të përditshmërisë së tij. Për 104-vjeçarin, agjërimi nuk është vetëm një praktikë fetare, por një mënyrë jetese që reflekton durim, përulësi dhe lidhje të thellë shpirtërore.
Historia e tij shihet si një shembull i rrallë i qëndrueshmërisë dhe besimit, duke u bërë një frymëzim për brezat e rinjtë që të ruajnë traditat dhe vlerat shpirtërore. 94 Ramazana të agjëruara mbeten një testament i rrallë i përkushtimit dhe i një jete të jetuar me besim.(INA)



