Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të kryejë kontrolle në të gjitha kompanitë që kultivojnë marihuanë për qëllime mjekësore, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se vendimi do të merret në seancën e ardhshme të Qeverisë, të martën. Ky hap vjen pas sekuestrimit të rreth 40 tonëve marihuanë në Shkup dhe rajonin e Strumicës, informon PressOnline.al
Kryeministri Mickoski, në vend që të përgjigjej drejtpërdrejt në pyetjet e gazetarëve, fillimisht pyeti se nga e dinë ata që pesë tonët e marihuanës së gjetur në Serbi – për të cilat autoritetet serbe pretendojnë se janë me origjinë nga Maqedonia e Veriut – kanë dalë nga vendi. Ai tha se as ai dhe as Ministria e Punëve të Brendshme nuk e dinë këtë, duke i qortuar gazetarët se po u besojnë më shumë autoriteteve të një shteti fqinj sesa institucioneve vendase.
“Do të isha shumë i kujdesshëm në kushte kur po zhvillohet aksioni më i madh kundër drogës dhe substancave narkotike në Maqedoni, i cili nuk ka nisur dje, por është një proces që zgjat prej kohësh. Deri tani bëhet fjalë për 40 tonë dhe nuk do të çuditesha nëse deri në fund shifra arrin në 100 tonë. Të martën, në seancë qeveritare, do të marrim vendim që të kontrollohet çdo subjekt”, deklaroi Mickoski.
Pas arrestimit të Ivan Dragniq, shtetas serb dhe bashkëpronar i kompanisë shkupjane “Alfafarm”, policia hyri në objektin e kësaj kompanie në kompleksin e ish-fabrikës “Ohis”, ku u sekuestruan gati 10 tonë marihuanë. Në “Alfafarm”, si dhe në kompanitë e Strumicës, u konstatuan një sërë parregullsish në veprimtari dhe mospërputhje të mëdha lidhur me sasinë e marihuanës që zotëronin, prodhonin, furnizonin dhe shpërndanin.
Në mungesë të detajeve nga hetimi, kryeministri bëri të ditur se lulet e kanabisit ishin të presuara fort, formë kjo që nuk mund të përdoret për prodhimin e vajit për qëllime mjekësore. Ai shtoi se hetimet do të përcaktojnë nëse kjo është bërë me qëllim apo për arsye të tjera.
Ndërkohë në Serbi, sipas gazetares së televizionit N1, Zhana Bulajiq, çështja kryesore është se kush tjetër është i përfshirë, duke pasur parasysh faktin se një nga të arrestuarit, Rade Spasojeviq, në pronën e të cilit u gjet marihuana, është funksionar lokal i Partisë Progresive Serbe në pushtet. Sipas saj, ajo që dihet deri tani nga Prokuroria serbe është se marihuana ka mbërritur nga Maqedonia e Veriut në pronën e prodhuesve të trangujve.
“Kur në një vend gjenden pesë tonë diçka ilegale, natyrisht shtrohen pyetjet se nga ka ardhur, si nuk e ka vënë re askush dhe si ka kaluar. Tani rezulton se kemi një përgjigje – se ka ardhur nga Maqedonia e Veriut. Edhe për ne, mediat në Serbi, është shumë e rëndësishme të marrim përgjigje për këto çështje. Dimë shumë pak nga informacionet zyrtare se si e ka kaluar kufirin, si nuk e ka vënë re askush dhe kush qëndron pas kësaj”, deklaroi Bulajiq.
Ajo shtoi se është gjithashtu domethënës momenti kur ndodhi kjo ngjarje në Serbi, në një periudhë me tensione të mëdha mes Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe vetë kreut të shtetit, si dhe dilemat nëse policia ishte në dijeni apo nëse prokuroria ka vepruar në fshehtësi, duke pasur parasysh se drejtuesit që duhej të shpërbleheshin për këtë sekuestrim të madh, u shkarkuan vetëm disa ditë më pas.(PressOnline.al)


