Salihu: Takimi me kongresmenin Keith Self moment i rëndësishëm për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës
Afaristi dhe veprimtari nga Medvegja, Muharrem Salihu, ka vlerësuar si tejet domethënës takimin e zhvilluar me kongresmenin amerikan Keith Self, duke e cilësuar atë si një moment me peshë të veçantë për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas Salihut, kongresmeni Self përfaqëson një zë të fuqishëm në Kongresin Amerikan në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe është autor i rezolutës që trajton këtë çështje, të cilën e ka shtyrë përpara me vendosmëri dhe autoritet moral, duke siguruar mbështetjen e anëtarëve të komitetit përkatës.
Ai theksoi se angazhimi i kongresmenit pritet të vazhdojë me të njëjtin përkushtim deri në shndërrimin e nismës në ligj të administratës amerikane.
Gjatë takimit, në fokus të veçantë ka qenë edhe çështja e pasivizimit të adresave, të cilën Salihu e cilësoi si një padrejtësi të rëndë që prek drejtpërdrejt shqiptarët e zonës. Ai bëri të ditur se diskutimet kanë qenë të hapura dhe të orientuara drejt hapave konkretë, ndërsa kongresmenit i është dorëzuar edhe Raporti i Helsinkit që dokumenton shqetësimet mbi këtë fenomen.
Në shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij, Salihu i ka dhuruar kongresmenit librin “Etnosi i Medvegjës”, si dëshmi e identitetit dhe historisë së shqiptarëve të kësaj treve.
Salihu e cilësoi Keith Self si një aleat të fuqishëm dhe adresë të besueshme në përpjekjet për drejtësi dhe të drejta të barabarta për shqiptarët e Luginës së Preshevës.


